KRRTRSH miraton sheshin dhe lejen e ndërtimit për 2 fabrika të çimentos në Lezhë dhe Krujë
- Investimi i dy kompanive të njohura europiane kap vlerën mbi 400 milionë euro
Këshilli i Rregullimit të Territorit të Republikës (KRRTRSH), në drejtimin e Kryeministrit Berisha, miratoi sot dy studimet urbanistike pjesore për shesh dhe leje ndërtimi për fabrikën e çimentos në Balldren, Lezhë, nga kompania “Fassa & Berberi sh.a” dhe të fabrikës në Borizanë, Krujë, nga kompania “Antea Cement”, pjesë e grupit TITAN.
Kryeministri Berisha theksoi se investimi për ndërtimin e fabrikës së çimentos në në Balldren kap vlerën mbi 200 euro dhe po kaq shkon edhe investimi për fabrikën e çimentos në Borizanë, duke i çuar këto investime të dy kompanive të njohura europiane në mbi 400 milionë euro.
Duke shprehur vlerësimin për këto studime, Kryeministri Berisha theksoi se këto dy projekte janë investime të mëdha në këto zona, ndërsa theksoi se industria e çimentos ka marrë një zhvillim shumë të madh në Shqipëri.
“Minerali gëlqeror i vargkodrave, nga Fushë-Kruja deri në urën e Mesit, është i një cilësie të shkëqyer për prodhimin e çimentos. Ky mineral qëndron në krye të vlerësimit të mineraleve tona, por interes i madh po dëshmohet gjithashtu edhe për depozitat e tjera të mëdha të vendit, si kromit, hekurit, nikelit etj.,” u shpreh Kryeministri, duke bërë të ditur se janë në fazë studimi edhe ndërtimi i një seri fabrikash të tjera.
Duke dhënë detaje për studimin, përfaqësuesit e kompanive investuese thanë se fabrikat do të kenë në përdorim teknologjinë më moderne, të aplikuar në vendet e Bashkimit Europian.