KS, Hoxhaj: Serbët në veri, rrezik; Jeremiç: Pafajësia e Limaj na shokoi
Duke ju referuar terësisht raportit të fundit të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki-mun, Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara diskuton sot për zhvillimet e fundit në Kosovë. Në raportin e tij tremujor për gjendjen në Kosovë, kreu i OKB-së ka vlerësuar se “pas konkluzioneve të suksesshme të diskutimeve për çështje kryesore, Beogradi dhe Prishtina kanë avancuar planet e tyre evropiane”.
Ministri i Jashtëm , Enver Hoxhaj, i cili përfaqëson Kosovën në këtë takim theksoi se pavarësia e Kosovës përbën stabilitet për rajonin, ndërsa vlerësoi progresin e vazhdueshëm të Republikës së Kosovës si dhe sfidat me të cilat përballet në këtë fazë. Po kështu Hoxhaj ka garantuar KS se qeveria e Kosovës është e vendosur për dialogun me Serbinë, që komuniteti serb të integrohet, por nënvizoi se serbët në veri përbëjnë rrezik për integritetin territorial të vendit.
Ndërsa homologu i tij serb, Vuk Jeremiç, në cilësinë e përfaqësuesit të Serbisë, e ka vlerësuar si të rëndësishëm dialogun, duke nënvizuar se si dialogu ashtu dhe qetësia janë të nevojshme. Por Jeremic ka shprehur pakënaqësinë ndaj ndaj dhënies së pafajësisë së ish-ministrit Fatmir Limaj , duke theksuar se një vendim i tillë ka shokuar opinionin serb.