Stefanoviç: Prishtina nuk po zbaton marrëveshjet e Brukselit

Shefi i ekipit negociator serb në dialogun me Prishtinën, Borko Stefanoviç tha se zbatimi i marrëvëshjeve të arritura në Bruksel po vështirësohet për shkak të “problemeve të krijuara nga Prishtina në terren”.
"Por, për gjithçka që është rënë dakord, do ketë zbatim dhe për këtë nuk ka asnjë dyshim", ka thënë Stefanoviç për agjencitë serbe të lajmeve, duke theksuar se në procesin e zbatimit të marrëveshjeve ka probleme.
Ai ka vënë në dukje edhe çështjen e fushatës parazgjedhore në Serbi,megjithatë ka theksuar se për dialogun nuk mund të ketë dyshime.
"Është e rëndësishme që të formohet Qeveria dhe të vazhdojë puna”, ka thënë ai.
Bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë, nën ndërmjetësimin e Brukselit kanë nisur në mars të 2011-tës.
Nga nëntë raunde bisedimesh, janë prodhuar shtatë marrëveshje, por jo të gjitha ato zbatohen dhe Prishtina akuzon Beogradin për neglizhencë.
Për këtë arsye, në disa raunde, në vend që të diskutohen temat e reja, është folur për zbatimin e marrëveshjeve të arritura më parë.