E Shtunë, 31 Tetor 2026

KS, shumë e shqetësuar për gjendjen në Jemen

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara i ka bërë thirrje palëve në konflikt në Jemen për zhvillimin sa më shpejt të një dialogu politik. Lidhur me dhunën e vazhdueshme në vendin arab, forumi më i lartë i OKB-së shprehu shqetësim të thellë. Javën e ardhshme, ekspertë të OKB-së do të udhëtojnë për në Jemen, ku do të shohin nga afër situatën në vend. Mediat raportojnë se gjatë protestave kundër presidentit Ali Abdullah Saleh, gjatë muajve të fundit kanë humbur jetën të paktën 200 njerëz. Edhe presidenti Salehtë në fillim të qershorit u plagos nga një sulm adresuar pallatit presidencial. Që nga ajo kohë, ai ndodhet për trajtim mjekësor në Arabinë Saudite. Jemeni vijon të dominohet nga protestat e grupeve kundërshtare, të cilat famtirësisht gjatë orëve të fundit, janë mbyllur qetësisht. Kështu, mijëra protestues kundër qeverisë dhe mijëra të tjerë pro presidentit përfunduan qetësisht demostratat e tyre në Sana, kryeqyteti i Jemenit. Protestuesit anti-qeveritarë kërkojnë fundin e regjimit 30 vjeçar të Ali Abdullah Salehit, president i Jemenit. Saleh, më herët deklaroi se nuk do të rikandidojë në vitin 2013, kur i përfundon mandati aktual, dhe se as i biri nuk do të garojë për postin e presidentit. Por duket se deklaratat e Salehit nuk kanë qenë të mjaftueshme për protestuesit. Jemeni është vendi më i varfër në botën arabe, i cili përballet me një lëvizje separatiste në jug, me rebelimin shiitë në veri dhe me rritjen e pranisë së militantëve të rrjetit terrorist të Al Kaidës.
 
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›