KSHH: Në rrjetet sociale të shkollave shpërndahen aktivitetet politike të Kushit. Celibashi: Shkelje administrative

Denoncimi i Komitetit Shqiptar të Helsinkit ndaj zyrës vendore të Arsimit Parauniversitar Korçë, ka nxitur diskutime në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.
Sipas përfaqësuesve të Komitetit Shqiptar të Helsinkit, Ministrja e Arsimit ka urdhëruar shpërndarjen e rrjeteve të saj sociale në faqet zyrtare të shkollave. Ata shprehen se të gjitha të dhënat e mbledhura, ngrenë dyshime mbi përdorimin e burimeve shtetërore dhe se sipas tyre, ngritja e administrimit në databasen EXEL ka për qëllim promovimin e subjekteve të përfshira në zgjedhje.
Shpërndarja në rrjetet sociale të shkollave, e veprimtarive politike të Ministres së Arsimit, për Komitetin Shqiptar të Helsinkit kërkon marrjen e masave urgjente nga KQZ.
“Shkolla 9-vjeccare në Maminas bën share postimin për të marrë mbështetje për PS. Te EXEL kërkohet shpërndarja e faqes së ministres. Të dhënat indikativë që kërkohen në EXEL, na bën të dyshojmë se përdorimi i burimeve shtetërore është evidente në këtë rast. Vendimi i 2022 shkelet në 3 nene.
Nga të dhënat konstatojmë se ngritja e administrimit në databasen EXEL ka për qëllim promovimin e subjekteve të përfshira në zgjedhje. Mendojmë se jemi përpara rastit ku KQZ në rastet kur konstaton shkelje, paralajmëron partitë, apo kandidatët, duke kërkuar ndërprerjen e veprimtarisë dhe marrjen e masave. Paralajmërimi njoftohet publikisht dhe në faqen zyrtare të KQZ. Duhet trajtuar në fenomen makro.
Me një kontroll kemi rezultuar në prova dhe kërkojmë të merren masa për ndërprerjen e kësaj veprimtarie. Ministres së Arsimit ti tërhiqet vëmendje. Dhe ZVA-së dhe shkollave”, tha përfaqësuesi i Komitetit Shqiptar të Helsinkit.
Ndërsa përfaqësuesi i Koalicionit “Bashkë Fitojmë” ka ftuar Komitetin Shqiptar të Helsinkit që të referojë rastin në SPAK.
“Ftojmë komitetin që rastin ta referojë dhe në SPAK me të gjitha këto prova për ministren dhe të gjithë ministrat e tjerëq që detyrojnë administratën të merren me fusha zgjedhore”, tha ai.
Nga ana e tij, kreu i KQZ, Ilirjan Celibashi u shpreh se të dhënat e vëna në dispozicion nga ana e Komitetit Shqiptar të Helsinkit, mbi paraqitjen në rrjetet sociale të shkollave, të veprimtarive politike, përbën shkelje administrative të Kodit Zgjedhor.
“Ka një dallim mes natyrës dhe përmbajtjes së denoncimeve që paraqiten në kuadër të azgjedhjeve me eksperiencat e shkuara dhe nëse e konstatojmë flitet për mënyrën si institucionet publike qasin veprimtarinë e tyre në rrjetet sociale.
Kjo meriton të theksohet si meritë e veprimit të organizatave të shoqërisë civile dhe KQZ për të mbikëqyrur këtë proces dhe ndërgjegjësimit të institucioneve publike.
Ne do duhet të kemi gjithë mirëkuptimin, në rastin konkret do duhet të adresohen. Jemi përpara një shkelje administrative të kodit zgjedhor. I kemi dhënë paralajmërimet për këtë çështje dhe ka kuptime të ndryshme nga të gjithë aktorët për pasqyrimin e fushatës elektorale, por ne e kemi bërë të qartë dallimin mes profilit zyrtar dhe personal”, tha ai, teksa shtoi se duhet të kishte pasur vëmendje të shtuar nga ripostuesit e këtyre aktiviteteve.
“Për të mos lënë mundësi për interpretime dhe dy apo tre kuptueshmëri, do urdhërojmë ndalimin e ripostimeve të aktiviteteve që pasqyrohen në profilet e ministres konkrete dhe ministrave të tjera sa kohë ata profilet i konsiderojnë personal. Do duhet ta ndajnë personalin nga zyrtari”, tha Celibashi.
/rtsh.al/