KSHH prezanton platformën e integrimit, qytetarët mund të raportojnë rastet e korrupsionit

Korrupsioni në vend nuk është thjesht një fenomen i rasteve të izoluara, por një problem strukturor dhe social, i ndikuar nga dobësitë institucionale, por edhe nga normat e krijuara në funksionimin e përditshëm të shërbimeve publike. Në raportin më të fundit të prezantuar nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit në Shqipëri, mbi hartën e riskut dhe korrupsionit në vend, drejtoresha ekzekutive Erida Skëndaj renditi sektorët më të ekspozuar ndaj korrupsionit.
“Pesë sektorët më të ekspozuar ndaj korrupsionit janë administrata publike në tërësi, kjo e perceptuar nga qytetarët, sistemi shëndetësor, shërbimet sociale, punësimi në sektorin publik dhe sistemi i drejtësisë.
Vetëm 10% e qytetarëve raportojnë përvoja pozitive të vazhdueshme me institucionet. 25% raportojnë përvoja të përziera, ndërkohë që 65% i vlerësojnë ato si negative”, deklaroi drejtoresha ekzekutive Erida Skëndaj.
Për të synuar lehtësimin e raportimit të rasteve të korrupsionit, sidomos nga grupet e margjinalizuara dhe shtresat në nevojë, Komiteti Shqiptar i Helsinkit prezantoi edhe platformën më të re: Platformën e Integritetit, ku KSHH thekson se trajtimi i rasteve do të bëhet nga ekipi i tij, duke garantuar siguri të plotë, por edhe konfidencialitet për qytetarët, teksa informacioni nuk do të ndahet me palë të treta me qëllim mbrojtjen e sinjalizuesve.
/RTSH/