KUJDES, CIKLOPI SHQIPËRIA E MADHE PO NA KANOSET(!?)
Prof. Dr. Hulusi Hako
Ndërsa jemi të përqendruar me meditime e manifestime rreth jubileut historik të 100-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë kombëtare, ngjarje për të cilën kemi përse të jemi krenarë, po ca më shumë për të bërë edhe reflektime të thella; kur në ndërgjegjen popullore mbahet, si një bukuroshe e përgjumur, aspirata shekullore e bashkimit tonë kombëtar, në qiejt shqiptarë e më tej janë lëshuar edhe tullumbace me mbishkrimin: Kujdes, Ciklopi Shqipëria e Madhe po na kanoset! Si kundër ndonjë fantazme të tmerrshme i janë turrë sot idesë së Shqipërisë së Madhe nga Moska në Athinë, nga Beogradi nëpër Maqedoni e Cetinë! Kjo ide, që ka një histori të tërë nëpër këta dy shekujt e fundit, na vjen sot me një rezonancë më të amplifikuar, por tingëllon si një sajesë e shëmtuar, që stonon rëndë me frymën demokratike e humane të kohës, me rrjedhën dhe logjikën e hekurt të historisë dhe i kundërvihet asaj. Të ishim paksa viganë, katallanë, të kishim të bënim me një metaforë hiperbolike, ani, por ajo formulë tingëllon thjesht si një ironi therëse e tallëse. Me keqardhje konstatojmë se kemi të bëjmë ende me një gjeopolitikë bizantine e arkaike të fqinjëve tanë dhe disa qarqeve ndërkombëtare që u mbajnë ison e u krehin bishtin atyre, ku duket qartë se disa politikanë vazhdojnë të mbeten ende skllevër dhe vegla të interesave të ngushta, mbeten me pretendime e rivendikime ekspansioniste, apo, të paktën, me synimin të mbajnë në gadishull një status quo dhe stabilitet të rremë, të ngritur në dëm të njërit prej popujve më të vjetër të tij. Nuk mungojnë në këtë fushatë edhe elemente të një donkishotizmi modern. Të ketë, vallë, ndonjë grim të vërtetë në këtë thirrje alarmante të diplomacisë së huaj në adresë të Shqipërisë dhe të shqiptarëve? Shqipëria e Madhe është sajesë e të huajve dhe mbetet krejt e huaj ndaj të vërtetave historike dhe të drejtave të shqiptarëve, e vënë në përdorim për të na mbyllur gojën. Po që në një frazë të vogël të përmbysësh një realitet të madh e me tre fjalë të thuash katër të pavërteta, këtë mund ta bëjë sot një diplomaci e paprinciptë, e paskrupull, iracionale e groteske. Dhe konkretisht:
Së pari, Shqipëria e Madhe, një shprehje hiperbolike, është shpikje e sajuar djallëzisht për të mbytur një proces të natyrshëm të shtetit-komb të shqiptarëve, si dhe për të justifikuar e kamufluar një tendencë të tërë të pandërprerë ekspansioniste të lakmive shoviniste dhe kthimit të trojeve shqiptare në pjesëza koloniale të copëtuara prej fqinjëve tanë. Historia i ka bukur të dokumentuara këto lakmi e synime në vepra të shkruara e diversione agjenturore, në pakte, traktate, marrëveshje, ultimatume diplomatike e agresione të hapura, deri në pretendimet që spushojnë edhe sot e kësaj dite. Dokumenteve të njohura famëkeqe të Naçertanies serbo-sllave e Megali-idhesë greke, Memorandumit të Akademisë së Shkencave e Arteve të Beogradit (1986) etj., po rendisim këtu, për freskim, edhe trajtesën Konflikti ballkanik dhe Shqipëria të nobelistit serb Ivo Andriç, hartuar në rolin e politikanit e diplomatit të vendit të vet, ku dalin me bri orekset, lakmitë dhe gjenocidi ndaj Shqipërisë e shqiptarëve, ku viset shqiptare emërtohen si territore turke, çdo bërthamë shtetërore i duket shtet mysliman dhe tërë synimet e njohura agresive i quan si të drejta serbe, i ngre e bazon mbi ndarjen e interesave të interesit me Greqinë, në Paktin e Londrës (26 prill 1915) etj., dhe përfundon te Çështja lidhur me transferimin e shqiptarëve myslimanë në Turqi, si një përmbushje dëshire më të kollajtë, sepse do të mungonin forcat që do të shërbenin për ta ndaluar këtë gjë. Shkurt, historia e frazës Shqipëri e Madhe është përrallë e pretekstit ironik për synimet e mbytjes së Shqipërisë si të tillë me vepra!
Së dyti, e ashtuquajtura Shqipëri e Madhe, edhe në shtrirjen e saj maksimale, me kthimin e tërë hakut tek i zoti, në bashkimin territorial të trojeve etnike të shqiptarëve, pa pretenduar as një pëllëmbë të fqinjëve, nuk do ti kalonte përmasat njerëzore e sipërfaqësore të shtet-kombeve të zakonshëm ballkanikë; vetëm do të na afirmonte si të barabartë midis të barabartëve.
Të thuash se edhe Kosova është Shqipëri, si një ish-vilajet i administratës pushtuese turke me kryeqendër Shkupin; se Manastiri është vatra e alfabetit të gjuhës shqipe dhe qendër e një vilajeti shqiptarësh; se Çamëria dhe vise të tjera shqiptare, zona etnike të ish-vilajetit të Janinës nën Greqi, janë pjesë e pashallëkut shqiptar të Ali Pashës; se Ulqini, Tivari, Kraja, Plava, Gucia etj., i përkasin etnikisht Shqipërisë, është të afirmosh vetëm Shqipërinë reale, etnike, natyrale, as të vogël, as të madhe. Por ky nocion i sajuar për Shqipërinë, për asociim të ideve, na shtyn vetëm të kujtojmë Bashkimin e Madh Sovjetik, të cilin, sipas fjalëve të ish-himnit të vet e kaliti për shekuj Rusia e Madhe, po nuk e gëzoi dot; na kujton dhe sloganin e Bashkim-vëllazërimit virtual të Federatës Jugosllave, si një eufemizëm e asaj Shpartallim-gjakosjeje që përjetuam realisht! Ato dy tabela fiktive, më tej, na sjellin në mendje edhe besëtytninë shqiptare, sipas së cilës kolla e keqe është përkëdhelur, duke u quajtur kollë e mirë!
Së treti, askush nuk ka pse të bëjë zhurmë për ndonjë kujdes nga shqiptarët si komb, sepse ky popull ka qenë sistematikisht viktimë e i viktimizuar, i kërcënuar e i rrezikuar, ndaj koha sot ka nxjerrë në rend të ditës kujdesin real që duhet të ushtrojnë gjeopolitikat ndaj një kombi të gjakosur rëndë nëpër shekuj, të masakruar mizorisht, të coptuar e të nëpërkëmbur në të drejtat më themelore njerëzore e kombëtare, përkujdesje ndaj një populli të rrudhur skajshmërisht nëpër territoret e veta. Imagjinoni se me çmend Moska ngre zërin sikur Shqipëria e Madhe përbën një rrezik për Europën juglindore, kurse edhe një Abetare Shqipëri-Kosovë, që u promovua në Prizren (maj 2012), Beogradi e stigmatizoi si Një hap drejt Shqipërisë së Madhe, … një ide që pretendon territorin serb etj. Pra nga kujdesi që bëhet e duhet bërë sot për prosperitetin e një kombi, dalin e na thonë kujdes prej tij! Kemi të bëjmë me një shtrembërim flagrant të fateve dhe sjelljes kolektive të një populli, shprehje të ironisë therëse ndaj një historie tragjike. Gogoli për të bërë kujdes prej kanosjeve virtuale të kombit shqiptar, thënë shkurt, është preteksti për të paralizuar kujdesin demokratik e human ndaj tij, për të zbehur edhe borxhin e madh që na ka, sidomos Europa plakë.
Së katërti, ti vërë kjo fjalë në vesh njerëzve të xhunglës, ata do të ngrenë sytë nga qielli, se do ta kujtojnë Shqipërinë e Madhe si një meteor gjigant që po i kanoset Tokës! Një ironi dhe parodi e fateve historike të një populli, një komedi tragjike, ja çështë kjo frazë. Kthetrat shoviniste që e kanë coptuar e grabitur, me synimin deri në asgjësim të plotë si etni e identitet kombëtar, kanë gojë e sy e faqe të thonë sot se mbasi sarritëm ta mbysim dot një popull, të paktën, të ndalojmë krijimin e ndonjë Shqipërie të Madhe! Kanosësi i vërtetë hiqet si i kanosur; tamam si ajo manovra që përdor hajduti real duke thirrur kapeni hajdutin, një dredhi njerëzore kjo që, fatkeqësisht, mbetet virulente dhe efikase edhe sot, madje, në këtë sferë madhore të jetës si politiko-diplomacia, nga e cila njerëzimi pret afirmimin e sanksionimin e lirive dhe të drejtave të popujve.
Janë bukur të dokumentuara dëshirat, aspiratat dhe mesazhet konstante e në vijimësi të shqiptarëve për fqinjësi të mirë, mirëkuptim dhe miqësi me popuj e njerëz të çdo etnie, race e besimi fetar, siç janë të tilla edhe sjelljet e imazhi ynë i sotëm, me ato tipare të rrënjosura në konstitucionin etno-psikik e të kthyera në pasuri e virtyt kombëtar. Ja pse kush nuk e vlerëson drejt dhe e injoron këtë realitet, i bën atentat imazhit të një kombi! Shkurt, disa politi