E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dramë e Holandës, jashtë Europianit pa asnjë pikë

TIRANE-Gjermania dhe Portu galia kanë avancuar për në çerekfinale të kampionatit europian, pas fitoreve të arritura në ndeshjet e fundit, respektivisht ndaj Danimarkës dhe Holandës. Sfida më e rëndësishme e grupit B ka qenë padyshim ajo mes tulipanëve dhe portugezëve, me këta të fundit që kanë arritur të triumfojnë 2-1.

Në këtë mënyrë, Holanda largohet me turp nga Europiani, duke mos marrë asnjë pikë në grup edhe pse shihej si një prej 3 ekipeve pretendente për fitimin e trofeut. Skuadra e Bert Van Marvijk kishte nevojë për një fitore me dy gola diferencë ndaj Portugalisë, por një skenar i tillë ka qenë thjesht një mision i pamundur. Van Der Vart zhbllokoi shifrat në minutën e 11-të, por Portugalia e ktheu shpejt ndeshjen bnë favor, duke krijuar një seri rastesh, sidomos me Ronaldon e Postigën. Luzitanët kanë humbur disa mundësi të pabesueshme, megjithatë Kristiano Ronaldo barazoi gjithçka në minutën e 28-të, duke shokuar tulipanët. Në pjesën e dytë, gjithçka ka folur për ekipin portugez. Hedhja në fushë e Van Derart në vend të Van Bomel, ka bërë që në mesfushë të mos kishte asnjë "digë" që të pengonte portugezët. Nani ka humbur një shans të artë përballë portierit Stekelenburg, ndërsa në minutën e 74-t, një kundërsulm i Portugalisë ka sjellë golin e dytë për iberikët, me autor sërish Ronaldon.

Gjithçka e përfunduar për holandezët, ndërsa në minutat e fundit një shtyllë e Van der Vart tregon se as fati nuk është me këtë ekip. Portugalia kalon kështu në çerekfinale të turneut, ku do të ndeshet me Republikën Çeke. Kishte shumë dyshime, nëse Gjermania do të luante për fitore apo do të kënaqej me një pikë që nxirrte jashtë Holandën. Por, ndërsa kjo e fundit nuk ka bërë dot detyrën ndaj Portugalisë, "pancerat" e Joakim Lëv kanë arritur fitoren e tretë në po kaq ndeshje ndaj Danimarkës, duke trium- fuar 2-1. Podolski shënoi në minutën e 19-të për gjermanët, ndërsa Krohn-Delhi barazoi 5 minuta më pas. Në pjesën e dytë ishte Lukas Bender ai që i dha triumfin 3 herë kampionëve të Evropës, që do të ndeshen me Greqinë në çerekfinale.

(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›