E Shtunë, 31 Tetor 2026

KUR FLAUBERT-I THYENTE TABUTË

Guri Filozofal Në 130-vjetorin e vdekjes së G. Flaubert-it

çdo epokë ka tabutë e veta, në varësi të mendësisë, kulturës, qytetërimit, botëkuptimit, prirjeve etike, sistemit politik, rrethanave historike dhe shoqërore etj. Një nga tabutë historikisht më të spikatura dhe të qëndrueshme e vërejmë në rrafshin e ndryshimeve mes gjinive. Pothuajse të tërë qytetërimet, të të gjitha epokave, në një formë apo tjetrën kanë shpalosur, kush më shumë dhe kush më pak, një frymë dhe një prirje më se të shprehur dhe të theksuar maskilizmi. Mendësisë së kulturave dhe qytetërimeve të ndryshme njerëzore i ka pëlqyer që ta vështrojë vetveten fryt i punës dhe mendjes së meshkujve. Në kulturën indiane, tekstet e hershme vedike dhe upanishadet flasin vetëm për meshkuj dhe parashtrojnë dogma, pikëpamje botëkuptimore dhe qasje etike që dalin nga goja e meshkujve; tekstet budiste vijojnë në po të njëjtën frymë, me ndryshimin e vetëm: në disa syresh flitet edhe për femra, porse këto nuk nxjerrin nga goja asnjë dogmë, asnjë pikëpamje botëkuptimore, asnjë qasje etike; ato thjesht janë “mësonjëse” të artit dhe marifeteve të tjera të “jatakut”. E njëjta frymë haset edhe te tekstet e hershme të qytetërimit kinez; Tao i Lao Tzen-it flet për meshkuj, ndërkohë që femra është thjesht një psherëtimë nostalgjie dashurore në buzët e një ministri të syrgjynosur në kufijtë veriorë (që asokohe ishin trevat më të varfra dhe me një klimë të egër e të ftohtë). E njëjta pamje vërehet edhe në qytetërimin hebraik: librat e shenjtë mbajnë si përcjellës vetëm meshkujt; një libër që u shkrua nga një priftëreshë me inicialin “J” u zhduk pa nam dhe pa nishan, dhe mbi rrënojat e tij u ndërtua Kishtari, na tregon, përmes një analize të thellë tekstore, Harold Bloom-i. Qytetërimi perëndimor ka një zanafillë disi të ndryshme; tek Iliada, poeti thërret në ndihmë femrën (Muzën, Hyjneshën) që t’i japë “kuptim” mërisë së Akilit (folja “aido” mbart fillimisht domethënien e “kumtimit”, më pas atë të “këndimit”), për të parë nëse kjo “mëri” duhej lexuar nën dritë e, dhe me ngjyresat, penelatat dhe skulpturimet fjalësore që vërejmë nga kënga e parë deri te kënga e katërmbëdhjetë (nëse mëria i vinte thjesht nga rrëmbimi i një robine nga ana e Agamemnonit), apo me syresh që vërejmë nga kënga e katërmbëdhjetë deri në fund (nëse mëria e vërtetë i vinte nga ndjenja për të marrë hak për gjakun e Patroklit). Përpos kësaj, te Homeri femra vishet edhe me petkun e “rishtonjëses”, e “mësueses”: Akili ndiqet dhe mësohet vazhdimisht nga e ëma, Thetida; Odiseu mësohet nga Athinaja e kështu me radhë. Porse, shumë shpejt, edhe në këtë pjesë të lëmshit të dheut, frenat e mbarë procesit të plazmimit të mendësisë së shoqërisë dhe kulturës e marrin në dorë meshkujt; i pari filozof që njeh qytetërimi perëndimor është Taleti, e pas tij vijojnë disa emra të tjerë, edhe këta meshkuj; po ashtu, mësuesi i parë që njeh historia e qytetërimit dhe kulturës perëndimore është një mashkull, Protagora, e pas tij vijojnë disa emra të tjerë, edhe këta meshkuj. Platoni përpiqet të na japë figurën e një “rishtonjëse”, e një “mësonjëse” tek Bashkëpirja, porse ky rast kalohet në heshtje, pasi tonin dhe orkestrimin e zërave të mendësisë së shoqërisë e drejtonte Kuvendi i grave, i Aristofanit. Rasti i Platonit vijon të përsëritet edhe kohë më pas (Kant-i, për shembull, i cili u vadit në fushën “e shkencës së të mirës” (moralit) nga e ëma), por në mënyrë sporadike, për të hasur të njëjtën heshtje.

Kësisoj, e udhëhequr nga kjo prirje dhe nën trysninë e faktorëve që përmendëm më lart, mendësia perëndimore u kristalizua tërësisht sipas një fryme pastërtish maskiliste dhe ideja e një femre “rishtonjëse” apo gjasa se mund të vaditeshe a udhëhiqeshe nga një femër në një suazë të caktuar të njohjes apo moralit, nisi të vështrohej thjesht një tabù.

Në qoftë se e lexojmë në dritën e kuadrit të mësipërm, Letërkëmbimi mes George Sand-it dhe Gustave Flaubert-it - dy prej pendave më të spikatura të letërsisë së shek. XIX - na shfaqet vërtet jo thjesht grishës, për aq sa na shpalos një nga pjesët më interesante të jetës krijuese e private të dy protagonistëve, por edhe një letërkëmbim tabuthyes. Arsyeja është më se e thjeshtë: në këtë letërkëmbim, Flaubert-i i drejtohet Sand-it me shprehjen “chère maître”, që do të thotë “e shtrenjta mjeshtër”, “duke i përdredhur qafën gramatikës frënge”, do të komentonte kritiku i njohur Hyppolite Taine, prej nga ku vlera prej dokumenti letrar dhe poetik i këtij Letërkëmbimi pëson një rritje të ndjeshme. Arsyeja është e thjeshtë, në të vërtetë. Në frëngjisht, sikundër edhe në gjuhët e tjera, përfshirë edhe shqipen, disa emra shfaqen të një gjinie të vetme, pavarësisht objektit që ato shënjojnë është mashkull apo femër, ç’ka i ka lënë jo pak shteg një morie gjarpërushash ideologjike.

Për shembull, emri “gjeni” është i gjinisë mashkullore, pavarësisht se fjala mund të jetë për një femër; po ashtu, termi “viktimë” është i gjinisë femërore, pavarësisht se fjala mund të jetë për një mashkull. Ndërkaq, disa emra i kanë të dyja format, mashkullore dhe femërore, pavarësisht se, të parë me kujdes, mund të mos kenë assesi një simetri të plotë kuptimore. Dhe kjo disimetri kuptimore është gjithë sa vërehet në rastin e termit “maître” (mjeshtër) dhe “maîtresse” (zonjë, mësuese, dashnore). Trajta femërore “maîtresse” nuk e mbulon tërë hapësirën semantike të homologut të saj mashkullor. Në sferën e letërsisë, një “maître” është një shkrimtar që ka shërbyer si udhërrëfyes, si rishtonjës, si model apo si burim frymëzimi për një shkrimtar tjetër. Porse, në rastin kur ky shkrimtar është një femër, është e pamundur që të ngarendim të përdorim termin “maîtresse”, përjashto rastin kur duam të bëjmë një humor vërtet të mbrapshtë. Në frëngjisht, termi “maîtresse” shënjon një epërsi të caktuar klasore, e përkundërt, si të thuash, me shtëpiaket, dhe, përpos kësaj, mbart edhe jo pak ngjyresa erotike. Ndërkaq, krejt ndryshe nga homologu i saj mashkullor, termi “maîtresse” nuk mbart asnjë ngjyresë kuptimore në lidhje me talentin, epërsinë intelektuale, apo dhuntinë poetike. Kësisoj, sikundërse vëren edhe Taine-i, për Korinën, poeten e famshme të lashtësisë, është e pamundur të shprehemi se ishte maître dhe maîtresse e Pindarit. Ndërkaq, kur një shkrimtar i drejtohet një shkrimtari tjetër të njohur, përdor kalkun “cher maître”. Po kur ky shkrimtar është një femër? Dhe pikërisht ky ishte problemi me të cilin iu desh të përballej Flaubert-i, ndërsa i shkruante Sand-it. Përdorimi i shprehjes “chère maîtresse” do të ishte sa qesharak, gjithë po aq edhe grotesk, pavarësisht se diferenca e madhe e moshës nuk i pengoi gjuhët e liga që të përgojonin për një histoire rose mes këtyre dy njerëzve të mëdhenj. Kështu që, për të shmangur çdo ngjyresë të mundshme groteske, por edhe për të shprehur admirimin dhe respektin që ushqente ndaj Sand-it, e cila aso ditësh kishte arritur kulmin e suksesit, Flaubert-i krijon shprehjen gramatikisht të çuditshme “chère maître”, duke bashkuar një mbiemër të gjinisë femërore - që këtu do të thotë shprehimisht se respektonte feminilitetin - dhe një emër të gjinisë mashkullore, e shtrenjta mjeshtër.

Kjo sjellje gjuhësore e Flaubert-it ka zgjuar vazhdimisht kërshërinë e jo pak studiuesve, aq më tepër kur mësojmë se në një letër Sand-i i shkruan Taine-it se: “Flaubert-i më do me gjithë forcën e shpirtit si njeri, por nuk më honeps dot në sferën e letërsisë.” Përpos kësaj, interesi sa vjen dhe rritet kur në këtë Letërkëmbim vërejmë këto dy personalitete të jashtëzakonshme të letërsisë frënge të shek. XIX shpalosin dora-dorës dy botëkuptime, dy estetika, dy karaktere, dy natyra katërçipërisht të ndryshme, për të mos thënë, madje, edhe të përkundërta: nga njëra anë, Sand-i shpalos natyrën e saj lirike, shpërthyese, plot fantazi, shpresëplotë dhe shpirtdhembshur, ndërkohë që, nga ana tjetër, përpara syve na shpaloset një Flaubert me natyrë të rrefkët, dramatizues, melankolik, mosbesues, cinik dhe një satirizues i pashoq; po ashtu, në rreshtat e këtij Letërkëmbimi dëgjojmë fuqishëm zërin e Sand-it, e cila këmbëngul në mirësinë e natyrshme të qenies njerëzore, ndërkohë që, nga ana tjetër, kemi një Flaubert që ngre zërin plot tërsëllimë për të mbrojtur fuqishëm idengulitjen e tij, sipas së cilës njeriu është i shthurur dhe i lig për nga natyra; Sand-i, ndërkaq, shpalos shpresën e saj në drejtim të një përtëritjeje të mundshme dhe fatlume të mbarë shoqërisë njerëzore, ndërkohë që, nga ana tjetër, Flaubert-i nuk përton të shprehë mllefin dhe përçmimin në drejtim të “turmave”. Më pas, duke ruajtur në bebe të syrit dhe në thep të zemrës tërë gjardanin e përvojave zhgënjyese që pati në jetë, Sand-i ngre zërin për përtëritjen e shpirtit dhe zemrës së njeriut përmes kthimit në mënyrën e jetesës sipas parimeve të besimit fetar dhe të misticizmit, ndërkohë që Flaubert-i shprehet plot bindje se pjesën dërrmuese të shpirtit dhe zemrës njeriu ka kohë që ia ka shitur djallit; për Sand-in, së fundmi (e cila, pavarësisht se nga i ati kish në vena gjak blu, e shihte veten si “bijë e adoptuar e revolucionit francez”), letërsia lipsej parë e veshur me një mision mesianik, një mjet, në fund të fundit, i vënë në shërbim të emancipimit dhe shpëtimit të mbarë shoqërisë njerëzore, ndërkohë që, për Flaubert-in, letërsia s’është përpos se udha që të shpie jashtë e sa më larg kaosit të pakuptimtë të ekzistencës në përgjithësi. Ndërsa Sand-i mëton një përdëllim dhe një përtëritje të botës përmes forcës së dashurisë, aspiratave dhe idealeve, Flaubert-i mëton ta ndëshkojë në mënyrën më cinike e më të egër të mundshme, prej nga gjallon edhe një tjetër mospajtim mes tyre, tashmë në një rrafsh pastërtish letrar: mospajtimi mes romanticizmit, i cili mëton të ndërhyjë në rendin shoqëror përmes “fluturimeve” larg tanishmërisë problematike të shoqërisë dhe kapja pas “heroikes”, “sentimentalistes” dhe “shprehjes së vetvetes” (subjektivizmit të shprehjes artistike dhe personalizimit të realiteteve letrare), dhe realizmit, i cili e largon tëhu praninë e “heroikes” dhe “sentimentalistes”, i jep fund perceptimit dhe lëvrimit të letërsisë si një “shprehje të vetvetes” (objektivizmi i shprehjes artistike dhe apersonalizmi i realiteteve letrare), duke i prerë hovin “fluturimeve” larg tanishmërisë shoqërore, për ta ndëshkuar kësisoj dhe fshikulluar ashpër këtë rend shoqëror përmes vënies në dukje të pjesëve më të errëta të shoqërisë, prej nga del në dritë edhe tërë kuadri historik dhe etiko-letrar që gjallon në faqet e këtij Letërkëmbimi.
Duke mbajtur parasysh tërë këtë kuadër plot mospajtime dhe kundërti, kritikët dhe studiuesit e letërsisë kanë ngritur shpeshherë pyetjen se si ka mundësi që ky Letërkëmbim mes dy protagonistësh me natyra dhe ide tejet të përkundërta arriti të jetonte plot dymbëdhjetë vjet, i ndërprerë thjesht dhe vetëm nga vdekja e Sand-it dhe, nga ana tjetër, si ka mundësi që Flaubert-i i drejtohet për vite me radhë Sand-it me shprehjen “chère maître”, prej nga një pjesë e mirë e kritikës, nën trysninë e prirjes së mendësisë së shoqërisë për ta parë vetveten fryt i një mendjeje dhe pune të meshkujve (dhe këtu vlen të sjellim në kujtesë kritikat e egra që Emile Zola shigjetonte vazhdimisht ndaj Sand-it “shkrimtare”), s’kanë përtuar të gatuajnë jo pak përgojime në kuzhinën e Paragjykimit, duke ndjekur një skemë interpretative të tipit “burrë-pendë” “grua-roman”, për t’u rrekur të nxjerrë në pah se Sand-i, “Muza e kurorëshkeljeve”, i kishte shërbyer Flaubert-it thjesht si model letrar apo si një burim frymëzimi për personazhet. Porse, duke anashkaluar gatesat e kësaj natyre, le të shtrojmë pyetjen: a ishte vërtet Sand-i një udhërrëfyese letrare dhe etiko-morale e Flaubert-it? çka shprehimisht do të thotë: përmes shprehjes “chère maître”, mos ndoshta Flaubert-i po thyente një tabù? - Përgjigjen ndaj kësaj pyetjeje besojmë se gjejmë te radhët e vetë Letërkëmbimit. Në një letër të 12 janar 1876, Sand-i i shkruan Flaubert-it: “Ruaje kultin tënd për formën; porse, më parë lipset t’i kushtosh vëmendje sfondit dhe përmbajtjes, thelbit dhe mesazhit të veprës. Mos e vështro asnjëherë virtytin e njëmendtë si një hapësirë të rëndomtë për letërsinë. Përkundrazi, jepi këtij virtyti formën e vet thelbësore dhe tiparet e pazhbëshme, e më pas përpiqu që të paraqesësh një tablo të qashtërt të nderit dhe të fuqisë morale përmes atyre mendjeshkrehurve dhe idiotëve që vdes t’i vësh në lojë. Përpiqu që të shpalosësh gjithë sa është e qëndrueshme dhe e fortë në themel të tërë këtyre shfaqjeve të matufepsjes kolektive dhe shterimit të forcave intelektuale; së fundmi, hidhi pas krahëve tërë bindjet dhe prirjet që trumbetojnë realistët, për të ngarendur drejt realitetit të njëmendtë, të vërtetë, i cili është një përzierje e së bukurës dhe së hijshmes me të shëmtuarën dhe të pahijshmen, me dritë dhe me errësirë, një realitet brenda të cilit vullneti ndaj së mirës gjen gjithnjë shprehjen dhe vendin që i takon.” Ndërkohë që Flaubert-i, nga ana e tij, i përgjigjet në një letër të 29 majit 1876: “Këto kohët e fundit kam punuar shumë... Kam nisur një novelë të re, me titullin Historia e një zemre të thjeshtë... Në këtë novelë do të keni rast të shihni tërë ndikimin që kam pasur prej jush, madje, më tepër nga sa mund ta mendoni edhe ju vetë. Jam i sigurt se prirja morale, apo për të qenë më i saktë, sfondi njerëzor i kësaj novele, do t’ju lërë një shije të këndshme.”

Mesazhi i të dyja letrave të cituara është më se i qartë në drejtim të pyetjes që ngritëm, shprehimisht të thyerjes së një tabuje nga ana e Flaubert-i, pavarësisht se kjo tabu po thyhej vetëm në hapësirën e një letërkëmbimi intim. Porse George Sand-i nuk arriti të shijonte vilet e gjithë sa më sipër, pasi dy javë më pas u sëmur rëndë dhe ndërroi jetë. Porse, pavarësisht kësaj, një nga tabutë e mendësisë së shoqërisë u thye, për të na ftuar vazhdimisht jo thjesht dhe vetëm për t’iu dhënë rëndomtazi përgojimeve dhe fantazive të çartura, por, dhe mbi të gjitha, për të medituar më gjatë dhe më thellë rreth gjithë sa lëviz pas kësaj tabuthyerjeje.

#

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›