Shalsi: Grabitje e qeverisë. Reagon zëdhënësja: Akuza të pakuptimta
Ballafaqimi mes pozitës dhe opozitës socialiste ka zbritur në terren. Nënkryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Eduard Shalsi, për një kohë të gjatë një nga drejtuesit kryesor të bashkisë së kryeqytetit, ka denoncuar dje veprimet e qeverisë në tjetërsimin e Fushës së Aviacionit. “Kjo që po ndodh këtu, në këtë pjesë të kryeqytetit, që njihet si Fusha e Aviacionit dhe ku Bashkia e Tiranës po ndërton parkun e dytë më të madh të kryeqytetit, është një grabitje tronditëse që shokon çdo njeri normal. Kjo fushë, ku vetë Lul Basha e Arben Imami me Sali Berishën në krah e me një projekt fantazmë në shpinë kanë premtuar të bëjnë lulishte gjatë fushatës, është nxjerrë në shitje nga Imami dhe Prifti, si të ishte pronë e ushtrisë”, deklaroi Shalsi. Ai e ka cilësuar këtë akt të orkestruar nga Ministria e Mbrojtjes si një grabitje të mirëfilltë, e cila për më shumë ndërhyn në zbatimin e projektit të bashkisë. Por këtyre akuzave të forta të selisë rozë i është përgjigjur zëdhënësja e Ministrisë së Mbrojtjes, Brikena Arapaj, e cila në konferencë për shtyp, i ka cilësuar ato si trillime. “Ju bëjmë me dije se Këshilli i Ministrive, me vendimin Nr. 2, datë 04.08.2006 ka miratuar ndryshimin e një sipërfaqe prej 5.5 hektarë nga një zonë e veçantë në zonë të gjelbër, vendim që ngarkon për zbatim Bashkinë e Tiranës. Kjo sipërfaqe toke është duke u përdorur aktualisht nga Bashkia e Tiranës dhe si rrjedhojë deklaratat e Partisë Socialiste bëhen tërësisht të pakuptimta”, tha ajo. Situata, gjithsesi, mbetet e pasqaruar mirë për sa kohë në qëndrimin e tij deputeti socialist ka paralajmëruar anulimin e procedurës së iniciuar nga Ministria e Mbrojtjes, çka natyrshëm çon në idenë se ajo ekziston si e tillë. “Apeli ynë sot është tërhiqeni këtë park nga lista e gjatë kriminale e privatizimeve që i janë dhënë për ekzekutim Dritan Priftit nga Arben Imami për llogari të Sali Berishës. Ne do ta mbrojmë këtë park me trupat tanë sot dhe nesër me anulimin e kësaj procedure skandaloze, për të cilën do të përgjigjet herët a vonë çdo njeri që do të hedhë firmën”, tha deputeti Shalsi.
#