E Diel, 1 Nëntor 2026

7 banka europiane ngelin në klasë

Testi Politikanët e mbështesin, kundërshtarët e cilësojnë si një manovër për të fshehur të vërtetën

7 nga 91 bankat europiane që iu nënshtruan testit të stresit nuk kanë mundur ta kalojnë atë dhe në këtë mënyrë u është kërkuar që të forcojnë mbrojtjen në rastin e ripërtëritjes së një krize si ajo që përjetoi Eurozona këto kohë. Komiteti i Supervizorëve të Bankave Europiane deklaroi dje se 7 banka duhet që të rishohin pozicionimin e kapitalit të tyre, i cili aktualisht ndodhet nën nivelin e caktuar si “i mjaftueshëm” për ta nxjerrë bankën nga situata në rastin e një krize të madhe financiare, apo ndryshimit të elementëve që do ta vinin bankën në një rrezik ekzistencial. Institucioni rregullator bëri të ditur se bankat që nuk kanë mundur ta kalojnë testin, duhet që ta shtojnë kapitalin e tyre me 3.5 miliardë euro, në mënyrë që të kenë një siguri më të madhe për financat e tyre, si dhe për ecurinë e ardhmërinë e biznesit të tyre edhe në kohë të vështira, veçanërisht kur këto kohë vijojnë papritur. Bashkimi Europian thotë se rezultatet janë shumë të rëndësishme për të pasur një ide më të saktë në lidhje me situatën e bankave dhe mbi të gjitha mbi forcën e tyre për të përballuar situata edhe më të vështira.

Një nga bankat që dështuan është ajo që tashmë pas problemeve të fundit u shtetëzua, “Hypo Real Estate Holding AG”. Gjithashtu testin e humbën edhe 5 banka kursimi spanjolle. Një tjetër bankë ishte ajo greke, “ATE”, cila u shpreh se do të vazhdonte me shtimin dhe grumbullimin e kapitalit, për të qenë e sigurt në rast të përsëritjes së krizës financiare. Në tërësi bankat e sipërpërmendura, që e kanë humbur testin, duhet të grumbullojnë 3.5 miliardë euro si kapital bankar për të qenë konform kërkesave të institucioneve të tyre rregullatore. Analistët dhe ekonomistët në Europë e kanë përshëndetur një proces të tillë duke e cilësuar si një konfirmim të situatës së mirë në të cilën ndodhen në përgjithësi bankat europiane pas kalimit të krizës më të rëndë të kaluar që pas Luftës së Dytë Botërore. Ministrja franceze e Financave e ka cilësuar testin “të ashpër” dhe “real” dhe se rezultatet e tij janë shumë të besueshme dhe shumë informuese për tregjet ndërkombëtare financiare, të cilat kanë pësuar kohët e fundit luhatje të mëdha. Ndërkaq, investitorët janë duke i shqyrtuar rezultatet e testit dhe disa i kanë parë ato edhe me mosbesim për shkak të situatës, e cila në terren është shpesh e ndryshme nga ajo në letër. Për disa, testi i stresit nuk ishte mjaftueshëm “i ashpër” për të nxjerrë me të vërtetë situatën e bankave dhe se kjo është një përpjekje e BE-së për të marrë me të mirë tregjet dhe jo një ndërmarrje e sinqertë për të treguar situatën reale të bankave.

#

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›