E Shtunë, 31 Tetor 2026

KZAZ, PS e PBDNJ i japin fund bojkotit

Opozita i ka dhënë fund bojkotit të procesit të përgatitjes së zgjedhjeve të ardhshme vendore. Partia Socialiste dhe Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut kanë dorëzuar dje në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, listat e kandidatëve për anëtarë e të komisioneve të nivelit të dytë, KZAZ. Nga sa mësohet, këto dy forca politike kanë paraqitur emra për të gjitha vendet që u takojnë atyre, në bazë të ligjit dhe jo vetëm për ato që aktualisht janë vakante. Do të jetë KQZ, ajo që do të vendosë tashmë për fatin e këtyre emrave, pasi siç dihet afati për dorëzimin e këtyre emrave ka përfunduar prej kohësh. Tashmë mbetet në vullnetin e KQZ-së, pranimi ose jo i këtyre listave, si dhe zëvendësimi i 66 emrave apolitikë, që ky institucion miratoi disa javë më parë si anëtarë KZAZ-je. Është natyrshme që PS do të kërkojë me ngulm tashmë vendet e saj të plota në këto komisione, përfshi këtu dhe ato të zëvendësuara nga KQZ. Ndërkohë, që ndërsa ka marrë zgjidhje procesi i emërimeve në KZAZ, tashmë në krizë pritet të futet procesi i zgjedhjes së anëtarëve të Komisioneve të Qendrave të Votimit. Kodi Zgjedhor parashikon ditën e nesërme, si afatin e fundit brenda të cilit forcat politike që kanë të drejtë të kenë anëtarë në KQV të paraqesin emrat e tyre. Por ndërkohë, siç mësohet nga burime pranë KQZ, jo të gjitha këto subjekte e kanë realizuar këtë detyrim. “Anëtarët dhe sekretari i KQV-së, emërohen vetëm për periudhën e zgjedhjeve. Propozimet për anëtarë dhe sekretar të KQV-së bëhen jo më vonë se 45 ditë, para datës së zgjedhjeve. KZAZ-ja emëron anëtarët e KQV-ve, jo më vonë se 5 ditë nga paraqitja e propozimeve. Në çdo rast, emërimi i tyre bëhet jo më vonë se 20 ditë para datës së zgjedhjeve”, - përcakton Kodi Zgjedhor lidhur me KQV. Pra siç shihet, emërimi i anëtarëve të KQV-ve varet direkt nga funksionimi i KZAZ-ve, pasi do të jenë këto komisione ato që do të bëjnë dhe miratimin e emrave të komisioneve fundore. Megjithatë, ky mbetet një detyrim formal, pasi nisur nga praktika e zgjedhjeve të shkuara anëtarët e KQV-ve janë emëruar në mënyrë përfundimtare vetëm pak ditë para zgjedhjeve. Ndërkohë që, dje, në KQZ ka mbërritur dhe kërkesa për regjistrimin e koalicionit të djathtë “Aleanca për qytetarin”, i përbërë nga 22 subjekte zgjedhore.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›