E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS, protestë për listat e zgjedhësve

Protesta e Partisë Socialiste është zhvendosur dje përpara drejtorisë së përgjithshme të gjendjes civile. Pretendimet për manipulimin e listave të zgjedhjeve ka bërë që deputetë të Partisë Socialiste dhe kryetarë të njësive bashkiake në Tiranë, si dhe qytetarë të ndryshëm, të qëndrojnë për disa minuta përpara Ministrisë së Brendshme. Gjatë fjalës së tyre, deputetë të PS-së, Besnik Bare si dhe Namik Dokle kanë vënë në dukje se është shkelur Kodi Zgjedhor. Ndërsa kryetarja e njësisë bashkiake nr. 1 në Tiranë, Lindita Nikolla, ka pohuar se janë provat e mjaftueshme që votuesit po sjellin me forcë persona nga qytetet të tjera të vendit, që me një kontratë fiktive në dorë të bëhen pjesë e manipulimeve për zgjedhjet dhe së shpejti këto prova do të shkojnë edhe në prokurori.

Gjatë kësaj proteste kanë folur edhe kryetarë të njësive të tjera bashkiake të kryeqytetit, duke kërkuar që këto zgjedhje të mos manipulohen. Sipas Nikollës, ka shumë persona që po bëhen me detyrim banorë të rinj të kësaj njësie bashkiake, në funksion të zgjedhjeve të 8 majit. “Kjo po bëhet duke kapërcyer afatin e 8 marsit, i cili ishte përcaktuar për përmbylljen e një procesi të tillë”, tha Nikolla. “Frika për humbjen e zgjedhjeve vendore në të gjithë Shqipërinë e ka bërë Sali Berishën dhe Lulzim Bashën të vënë në punë natë e ditë Al Kaponen e tyre, që kanë këtu në ministri, për të bërë manipulime dhe maskarada me listat” - tha deputeti socialist, Namik Dokle.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›