PS mbyll koalicion me 26 parti, negociata dhe me komunistët e Milloshit
Partia Socialiste mbyll koalicionin parazgjedhor. Do të jenë plot 26 forca politike, ato që do të përbëjnë koalicionin “Opozita e Bashkuar”, çka përbën numrin më të madh të subjekteve politike, që bien dakord që në këto zgjedhje të dalin me kandidatë të përbashkët. Shumica e këtyre forcave politike kanë mundur të nënshkruajnë ditët e fundit marrëveshjen e bashkëpunimit, ndërsa i gjithë procesi pritet të përmbyllet sot dhe me rreth 5 subjekte të tjera. Koalicioni që do të drejtohet nga PS do të paraqesë kërkesën për regjistrim në KQZ, vetëm ditën e mërkurë, që është dhe afati i fundit ligjor. Ndërkohë, pjesë e këtij koalicioni mund të bëhet edhe Partia Komuniste e Hysni Milloshit, për të cilën PS po diskuton edhe me aleatët e tjerë.
Koalicioni i Majtë
Dita e sotme është afati i fundit, që drejtuesit socialistë kanë lënë për të përmbyllur marrëveshjen e bashkëpunimit parazgjedhor me aleatët e tyre tradicional dhe ata të rinj. Negociatat kanë vijuar edhe gjatë ditës së djeshme, ku dy përfaqësuesit socialistë, Ndre Legisi dhe Armando Subashi, ku është mundur të gjendet mirëkuptimi me disa parti të tjera, të cilat kanë pranuar të nënshkruajnë marrëveshjen e bashkëpunimit, duke përcaktuar në të njëjtën kohë dhe formulën e bashkëpunimit në terren. Burime nga PS kanë bërë të ditur dje se, gjatë ditës së sotme ka mbetur përmbyllja e procesit dhe me pesë parti të tjera, me të cilat është rënë parimisht dakord, për të garuar sëbashku. Numri i subjekteve zgjedhore, që përbëjnë këtë koalicion, mësohet se ka shkuar në 26 subjekte me të cilat parimisht është arritur mirëkuptimi. Bën përjashtim Partia Komuniste, e drejtuar nga Hysni Milloshi, për të cilën nuk është vendosur ende nëse do të jetë pjesë e këtij koalicioni. Burime pranë PS-së kanë sqaruar për këtë forcë se po pyeten edhe aleatët e tjerë, nëse duhet që të jetë apo jo pjesë e koalicionit. Ndërkohë, vet Hysni Milloshi, i kontaktuar dje në telefon, ka mohuar që të ketë nënshkruar një marrëveshje me PS-në. Interesante duket marrëveshja me PDK, parti e cila kërkon Bashkinë e Shkodrës për të garuar në emër të opozitës.
Koalicioni i djathtë
Ndërkohë që socialistët nuk kanë përfunduar ende bisedimet me aleatët e tyre, nga ana tjetër Partia Demokratike ka depozituar në KQZ koalicionin e vet, të përbërë nga 22 parti dhe ku bie në sy mungesa e minoritarëve grekë, MEGA. Ndryshe nga koalicioni i arritur në zgjedhjet e fundit parlamentare të 2009, ku e djathta konkurroi sëbashku me 16 parti, kësaj here harta e partive mbështetëse shtohet dhe me gjashtë forca të tjera. Të cilat kryesisht janë parti, që në zgjedhjet e shkuara ishin në aleancë me LSI-në, siç është rasti i Partisë Aleanca Europiane Ekologjike e Sazan Gurit. Emri i koalicionit do të jetë “Aleanca për Qytetarin”.