E Shtunë, 31 Tetor 2026

KZAZ publikojnë % e pjesëmarrjeve në disa qarqe

Publikohen të dhënat e para të KZAZ-ve në disa qytete të vendit për pjesëmarrjen në votimeve deri në orën 14.30 minuta Në qarkun e Korcës, Elbasan, Vlore, Dibër, Gjirokastër dhe Sarandë pjesëmarrja ka variuar nga 30- 40,45 % e votuesve të regjistruar në listat e zgjedhësve. Vihen re fluks votuesish në Qendrat e votimit.TIRANE- Në qarkun e Korcës kanë marrë pjesë rreth 30 % e 286 mijë zgjedhësve të regjistruar në listat zgjedhore.
“ Ardian Maho, kryetar i KZAZ nr.28 në qytetin e Korçës, tha se "nga verifikimet në terren dhe qendrat e votimit, pjesëmarrja në votime në këtë qytet deri në orën 14.30 arrin në rreth 30%"- citon ATSH.

Ndërkohë, edhe Roland Gushi, kryetar i KZAZ nr. 29 dhe Kimet Mullalli, kryetar i KZAZ nr. 30, që përfshijnë komunat e rrethit të Korçës, u shprehën për një ecuri krejt normale të procesit zgjedhor dhe pjesëmarrje në afro 30% të zgjedhësve në votime.

Në qarkun e Elbasanit ka arritur rreth 40% pjesëmarrja e zgjedhësve në votime, ndërsa pritet që në orët në vijim, ajo të vijë në rritje.

Prefekti i Qarkut të Elbasanit, Shefqet Deliallisi tha sot për ATSH-në, se "sipas të dhënave zyrtare, deri në orën 13.30 vetëm në bashkinë e Elbasanit kanë votuar 22 mijë shtetas, ose 22%, në rrethin e Gramshit votuan 8000 zgjedhës ose 28%, në Peqin 30% dhe në Librazhd 20% e votuesve".

Proçesi zgjedhor ecën normalisht përjashtuar disa rasteve sporadike si ato të pajisjes së komisionerëve të PS me stilolapsa me mikrokamera.

Gjithsesi, që nga ora 13.30 në të gjitha qendrat e votimit të Bashkisë së Elbasanit vihet re masivitet qytetarësh, që presin të votojnë.

Në Vlorë shkalla e pjesëmarrjes së zgjedhësve në votimet e sotme, në disa zona të qarkut është e kënaqshme. Prefekti i këtij qarku, Hasan Halili, tha për ATSH-në se "në zona të veçanta, sikundër në ato që përfshihen në territorin e administruar nga komunat Qendër dhe Novoselë, pjesëmarrja në votime ka arritur në rreth 30 përqind.

Në Gjirokastër deri në orën 12.00 kanë votuar rreth 30%. Përfaqësuesit të KQZ-së për qarkun e Gjirokastrës Arjan Gjini, deklaroi se “deri në 12.00 të ditës së sotme nga 129.600 votues që janë regjistruar në listën përfundimtare kanë votuar 30 përqind e tyre”.
“Aktualisht situata e procesit zgjedhor paraqitet e qetë" është shprehur Gjini, duke shtuar më tej se "në shumë nga qendrat e votimit në qarkun e Gjirokastrës, janë vërejtuar radhë të gjata të zgjedhësve, të cilët presin të votojnë të ushtrojnë të drejtën e tyre kushtetuese."

Procesi i votimit në qarkun e Sarandës dhe Delvinës paraqitet i qetë dhe pa probleme serioze ndërkohë që pjesëmarrja në votime deri në orën 14:00 ka qënë në masën 32%.

Në qarkun e Dibrit procesi deri në orën 14.00 ka vijuar normalisht, me përjashtim të disa incidenteve që janë vërejtur si votimi familjar. Gazetarët e tv NEWS24 që ndodhen atje vërejnë një fluks votuesish në orët e drekës. Në rrethin e Matit pjesëmarrja ka shënuar mbi 50 % në Bulqizë pjesëmarrja 40-45 % në Peshkopi rreth 40 %.
(s.g/BalkanWeb)

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›