Koleksioni i fundit i mbretit Ives
Mund të jetosh i qetë dhe me kënaqësi në një ndërtesë që është më solemne se një muze, më e çmuar se shpella e Ali Babës, më luksoze se pallatet e fisnikëve të mëdhenj francezë? A mund të priten miqtë dhe të ftuarit në një vend të tillë, dhe të mos magjepsen nga hijeshia, eleganca dhe pasuria e rrallë e një koleksioni me vlerë të paimagjinueshme, të blerë në momente dhe periudha të caktuara të jetës? Aq më tepër nëse mijëra kryevepra që e rrethojnë janë të një vlere dhe rëndësie shumë të madhe. Kur një rezidencë rrethohet nga luksi, e humb vlerën e një shtëpie ku mund të qëndrosh vetëm, sepse në një farë mënyre bëhet e pabanueshme për mungesë gabimesh, rrëmuje, harresash, aromash madje edhe pluhuri. Por, në të vërtetë, ajo çka mendonin të tjerët nuk i interesonte aspak Ives Saint Laurentit dhe Pierre Berges, bashkë si në jetë, ashtu edhe në punë, kur në vitin 1972, atëherë kur ishin bërë të famshëm- si në çatinë e botës aristokrate të modës, ashtu edhe në tregun e artit, me suksesin e përbotshëm të parfumit "Opium" -u zgjuan befas papritur të pasur dhe në gjendje për të plotësuar çdo kapriço. Ndoshta prandaj e shndërruan banesën e tyre në një sinonim të pasioneve dhe luksit pa kufij. Çfarë nuk gjeje aty. Dy tavolina të vogla të veshura me lëkurë leopardi të viteve ‘20, të punuara nga Gustavo Miklos, me një çmim që kap vlerën e dy-tre milionë eurove; portretin e një gruaje primitive afrikane, me emrin "Potrait de madaime L.R", një vepër jashtëzakonisht e çmuar dhe e rrallë, e vlerësuar mes 15-20 milionë eurove; karrige të viteve 1917 dhe llambadarë të krijuar nga Ekakart Muthesius. Gjithçka e zgjedhur me kujdes nga pronarët e saj, Ives Saint Laurent dhe Pierre Berege, që ia shtonte më shumë bukurinë rezidencës së tyre të jashtëzakonshme, rrethuar nga një kopsht i mrekullueshëm. Në fakt, në "Grand Palais" të Parisit, nga data 23 deri në 25 shkurt, thesaret e çiftit do të nxirren në ankand. Në fund të fundit do të jetë kjo sfilata e tij e fundit, ajo ku do të dalin në pah 50 vitet e një jete në kërkim të së bukurës. Sfilata e tij e fundit s‘do të jetë për veshjet, por për artin dhe shijen, me vepra nga Greqia e lashtë e deri në shekullin XX. Një koleksion nuk është kurrë thjesht një bashkim objektesh, por në këtë rast historia e një miqësie dhe besimi reciprok, e një dashurie. Për koleksionistët, galeristët, drejtorët e muzeve apo miliarderët, mes të cilëve prej muajsh po qarkullon ky lajm, me siguri do të jetë ankandi i vitit. Janë gjithsej 733 objekte që bashkohen nën kriterin e vetëm: "Më mirë një mur bosh, se sa një objekt apo pikturë e rëndomtë". Ndaj është e vështirë të gjesh diçka që nuk është kryevepër në katalogun e dy ish-partnerëve adhurues të së bukurës. Galeria e piktorëve përfshin emra të mëdhenj si: Cézanne, Matisse, Manet, Vuillard, Gauguin, Goya, Munch, Mondrian, Léger, Picasso, Brancusi; pastaj mobilie, statuja dhe objekte bronzi, ari, argjendi dhe fildishi, me diçka të përbashkët mes tyre: përzierjen e epokave. Ekspertët francezë të shtëpisë më të madhe të ankandeve, "Christie‘s", kanë deklaruar se vlera e të gjitha objekteve mund të arrijë në 300-400 milionë euro. 23, 24 ,25 shkurti, në orën 19:00, për Parisin do të jenë ditë të shënuara. Ashtu si vetë objektet, do të jetë edhe vendi që do i mirëpresë, "Grand Palais", që për herë të parë hap dyert për zhvillimin një ankandi me përmasa të tilla, edhe pse çmimi për qiranë e tre ditëve është joshës: plot 1 milion euro. Në rreth 300 mijë metra katrorë sipërfaqe do të ekspozohen të gjitha objektet, ndërsa koha minimale, të paktën për t‘u vizituar, është jo më pak se një orë. Një sallë me 860 vende do të mirëpresë blerësit. Pikërisht aty do të zhduket përgjithmonë e vetmja vepër arti që nuk mund të gjendet kurrë më: koleksioni që për shumë kohë jetonte në sallonet e përrallave të dy shtëpive të tij, asaj në "Rue Bonaparte", ku lindi Manet dhe marshalli Lyautey që i dhuroi Francës një perandori, e ku Pierre jeton që prej vitit 1992 dhe tjetrës po aq madhështore sa e para, në "Rue de Babylone". Pierre Berge më 23 shkurt do të jetë aty, i fshehur në ndonjë cep, por gjithsesi i pranishëm në "vdekjen" miliardere të koleksionit të tij, një ndër më të mëdhenjtë dhe më të çmuarit e të gjitha kohërave, duke ju bindur kështu një ligji universal, sipas të cilit, veprimi i fundit duhet të jetë ai për të fshirë gjithë gjurmët e dukshme të punës së tij. T‘i nxirrte në ankand ishte një vendim që e mori vetë, për të mos pasur kujtime apo keqardhje. "Nuk është një çështje parash. Pas vdekjes së Ives mendova se nuk kishte më asnjë arsye që ky koleksion të vazhdonte të ishte po aty. Nuk do të trishtohem, sepse veprat nuk vdesin kurrë. Më pëlqen të mendoj se ishin te ne vetëm kalimthi, dhe e di që mund të jetoj edhe pa to, ndërsa Ives jo, për të do të ishte e pamundur të mos i kishte". Sepse gjigandi i modës ishte një njeri që sikurse punonte në botën e modës, jetoi me një shije e elegancë të vërtetë. Atij i pëlqente që të ishte i rrethuar nga e bukura, sublimja, eleganca dhe klasi. Të gjitha shtëpitë dhe pronat që bleu përgjatë viteve e ku banonte vetëm me qentë e tij ishin të zbukuruara në mënyrë luksoze dhe të mbushura me objekte antike e antikuariate nga artistët e tij të preferuar si Picaso, Cocteau, Braque dhe Christian Berard. Ai thoshte shpesh: "Çdo njeri, për të ekzistuar ka nevojë të rrethohet nga fantazma estetike. Unë kam njohur e përjetuar frikën dhe tmerrin e të qenit vetëm, kam përjetuar miqësinë e rreme të qetësuesve dhe drogës, kam përjetuar burgun ku të fut depresioni dhe izolimin e spitalit psikiatrik. Por një ditë ia dola mbanë që t‘i lë pas e t‘i sfidoj të gjitha këto të këqija. Gjunjët më priteshin, por isha më në fund mendjekthjellët".
Pierre është i sigurt se do të shitet gjithçka dhe ka ndërmend të ruajë vetëm një skulpturë afrikane që përfaqëson zogun mitik "senofoui", objektin e parë të koleksionit dhe portretin e Ives, pikturuar nga miku i tyre Warhol. Në momentin që do të gjendet një blerës si për "Instruments de musique sur un gueridon" të Pikasos, vlerësuar me një çmim nga 25-30 milionë euro, apo për një "Important boite a portrait de Louis XVI", vlerësuar 200-300 mijë euro, secili prej këtyre objekteve të burgosur prej vitesh në komodinat e mbushura plot, do të rinisë rrugën e tij dhe do t‘u rikthejë vlerën të tjera shtëpive, pallateve apo muzeve anembanë botës. Edhe diçka tjetër, krevati kopjo, dizajnuar nga Jean-Michel Frank, ku stilisti më i madh, e akoma sot më i kopjuari në botë, u shua ditën e parë të qershorit në moshën 71-vjeçare, do të dalë në ankand më 24 shkurt, në orën 18:00, me një vlerë prej 30-50 mijë eurosh.
Pierre është i sigurt se do të shitet gjithçka dhe ka ndërmend të ruajë vetëm një skulpturë afrikane që përfaqëson zogun mitik "senofoui", objektin e parë të koleksionit dhe portretin e Ives, pikturuar nga miku i tyre Warhol. Në momentin që do të gjendet një blerës si për "Instruments de musique sur un gueridon" të Pikasos, vlerësuar me një çmim nga 25-30 milionë euro, apo për një "Important boite a portrait de Louis XVI", vlerësuar 200-300 mijë euro, secili prej këtyre objekteve të burgosur prej vitesh në komodinat e mbushura plot, do të rinisë rrugën e tij dhe do t‘u rikthejë vlerën të tjera shtëpive, pallateve apo muzeve anembanë botës. Edhe diçka tjetër, krevati kopjo, dizajnuar nga Jean-Michel Frank, ku stilisti më i madh, e akoma sot më i kopjuari në botë, u shua ditën e parë të qershorit në moshën 71-vjeçare, do të dalë në ankand më 24 shkurt, në orën 18:00, me një vlerë prej 30-50 mijë eurosh.