E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ka garanci për hapjen e Zyrës Administrative në Veri

Zëvendëskryeministri i vendit, Hajredin Kuçi ka thënë sot se ka garanca të plota për hapjen e Zyrës Administrative në veri të Mitrovicës, ndërkohë ka shtuar se do të ofrohet siguri për të gjithë që do të punojnë në të. Gjithashtu, ai ka theksuar se Kosova është për vazhdimin e dialogut me Serbinë, si rrugë të vetme për zgjidhjen e problemeve, por që, sipas tij, së pari duhet të implementohen marrëveshjet e arritura në Bruksel.

Pas mbledhjes së kabinetit qeveritar, i pyetur nga gazetarët në lidhje me sulmin në vendin ku do të hapet Zyra Administrative në veri të vendit, Kuçi ka thënë se nuk ka ndonjë informacion të tillë.

“Unë nuk kam informata të tilla, por ajo çka do të them kemi garanca të plota nga Policia e Kosovës, EULEX-i dhe KFOR-i që do ta ruajnë atë zyre”, ka thënë zëvendëskryeministri Kuçi.

Ai ka theksuar se e mira është që numri i aplikuesve është jashtëzakonisht i madh, edhe më i më i madh se sa që është pritur.

Kuçi beson se ministri i Pushtetit Lokal, Sllobodan Petroviq, brenda muajit, do të bëjë funksionale këtë zyrë.

Kryenegoaciatorja, Edita Tahiri ka deklaruar, ditë më parë, se e ka ditur që dialogu do të mbetet vetëm në letër dhe si i tillë nuk ka nevojë të vazhdoj, pas ardhjes në pushtet të Tomisllav Nikoliqit. Zëvendëskryeministri Kuçi ka thënë se nuk e dëgjuar një deklaratë të tillë, por ka thënë se së pari duhet të implementohen marrëveshjet, që më pastaj të mund të vazhdohet dialogu.

“Kosova prapë mendon që çdo rrugë e zgjidhjeve të problemeve është dialogu, por mendoj që duhet të tregohet serioziteti i arritur deri më tani, cilësia e dialogut dhe një lloj besimi për të vazhduar më tutje”, ka theksuar ai.

Për më tepër, ai ka shtuar se Brukseli ka më shumë punë me Beogradin se sa me Prishtinën. /kosovapress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›