E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bayern në epërsi

Bayern Munich arriti fitore të rëndësishme në udhëtim te Inter me rezultat 1-0 falë golit nga sulmuesi Mario Gomez në minutën e fundit të kohës së rregullt. Përballja e fazës eliminatore të Ligës së Kampionëve mes finalistëve nga edicioni i kaluar i garës solli raste të shumta për të dyja ekipet. Në takimin tjetër Olympique Marseille dhe Manchester United luajtën pa gola. Nga Express më 23 shkurt 2011 në ora 23:27

Mario Gomez shënoi golin e fitores në minutën e fundit të kohës së rregullt duke i dhuruar Bayern Munichut një fitore 1-0 te kampioni në fuqi Inter, në përsëritjen e përballjes finale nga edicioni i kaluar i Ligës së Kampionëve të mërkurën.

Bayern, humbës 2-0 në Madrid vitin e kaluar nga ekipi që atëherë udhëhiqej nga Jose Mourinho u duk i rrezikshëm gjatë gjithë ndeshjes së vlefshme për rrethin e dytë të garës, edhe pse Nerazzurrët po ashtu krijuan mjaft raste për të realizuar. Inter kishte një mundësi të hershme kur qendërmbrojtësi Andrea Ranocchia goditi jashtë pas harkimit nga një goditje e lirë por më pas Bayern u shfaq më kërcënues.

Luiz Gustavo dy herë ishte afër golit, ndërsa Franck Ribery ishte vazhdimisht i rrezikshëm sa herë kishte topin në pronësi por rrezikoi edhe me kokë kur pas një harkimi nga Arjen Robben e goditi transversalen. Gjiganti bavarez ishte vazhdimisht kërcënues por edhe Inter kishte mundësi të shumta për të kaluar në epërsi derisa në pjesën e parë nga një rast i favorshëm dështoi mesfushori Esteban Cambiasso.

Sulmuesi Samuel Eto’o u angazhuar pothuajse në çdo aksion të Nerazzurrëve por portieri i ri gjerman Thomas Kraft bëri disa pritje të mira. Bayerni edhe njëherë goditi shtyllën në pjesën e dytë nëpërmjet Robbenit por Inter u kundërpërgjigj në anën tjetër duke rrezikuar nëpërmjet Cambiassos e më pas zëvendësuesit Kharja.

Mirëpo, momenti vendimtar erdhi në minutën e fundit kur Robben goditi nga distanca ndërsa portieri Julio Cesar nuk e ndali topin, që u devijua te Gomez, i cili nuk gaboi nga afërsia duke siguruar epërsinë e Bayernit para ndeshjes së kthimit në Allianz Arena më 15 mars.

Në ndeshjen tjetër Manchester United dhe Olympique Marseille luajtën baras pa gola në përballjen ku yjet e përballjes ishin mbrojtësit. Rastet ishin të pakta.

Asnjëri prej portierëve nuk ishte i detyruar të bënë ndonjë intervenim serioz në mungesë të rrezikshmërisë së sulmuesve dhe ndeshja kaloi nën hijen e paraqitjeve të shkëlqyeshme të mbrojtësit të Manchester Unitedit, Chris Smalling dhe Souleymane Diaëara nga Marseille.

Faza eliminatore:

Inter-Bayern M0 - 1
Marseille-Man Utd0 - 0

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›