E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bashkia, rikonstruksion total shkollës Misto Mame

Tiranë- Një shkollë e standardeve evropiane i vihet në dispozicion nxënësve të Njësisë Bashkiake numër 8 në kryeqytet. Shkolla “Misto Mame”, e cila gjendet në Rrugën e Dibrës, pranë Medresesë i është nënshtruar një rikonstruksioni të plotë dhe ka kushtuar rreth 850 mijë euro, falë një kredie të akorduar nga Banka për Zhvillim e Këshillit të Europës.

Në ceremoninë e përfundimit të punimeve për rikonstruksionin e kësaj shkolle, Kryetari i Bashkisë Edi Rama ka përsëritur nismën e bashkisë për ndërtimin e rrjetit të shkollave të reja të së ardhmes. “Ashtu siç po bëjmë sot në Tiranë, ku po ndërtojmë jo vetëm qytetin dhe shkollat e së ardhmes, të njëjtën gjë do të bëjmë nesër në të gjithë Shqipërinë, duke ndërtuar edhe shoqërinë e së nesërmes, ku nuk do të ketë asnjë qytet dhe asnjë fshat ku fëmijët të mos mund të realizojnë dëshirat dhe të plotësojnë ëndërrat e tyre”- tha Rama.

Pas prishjes në themel të objektit të vjetër ekzistues, shkolla “Misto Mame” tani gjendet plotësisht e ndryshuar me një arkitekturë të re, në një godinë 4 katëshe. Shkolla ka një kapacitet prej 700 nxënësish dhe përmban të gjitha mjediset e nevojshme për zhvillimin e mësimit në kushte bashkëkohore.

Hyrja e shkollës është vendosur në pjesën veri - perëndimore të godinës e cila në përfundim të rikonstruksionit disponon tashmë 17 klasa mësimore, 4 laboratorë, një bibliotekë 90 metra katrorë, një sallë për administratën 103 metra katrorë, sallë polifunksionale 100 metra katrorë, mjedise ndihmëse 30 metra katrorë, nyje sanitare 165 metra katrorë si dhe një palestër 502 metra katrorë.

Shkolla e re është pajisur me shkallët e emergjencës, ndërsa për fëmijët me aftësi të kufizuar janë zbatuar rampat e hyrjes në shkollë e palestër si dhe nyjet sanitare në katin përdhe.

Plotësimi i të gjitha standarteve dhe kushteve më të mira për fëmijët mbetet një nga synimet kryesore të Bashkisë së Tiranës dhe një nxitje me shumë drejt arsimimit, edukimit ekulturës sociale, për arritjen e standarteve bashkëkohore.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›