Kabineti Rama vijon edhe sot në Shkodër mbledhjen e qeverisë së re
Vijon edhe sot në Shkodër takimi informal i qeverisë së re. Pas mbledhjes së djeshme e cila zgjati 4 orë, kabineti i kryeministrit të ardhshëm Edi Rama do të vijojë sërish sot mbledhjen e qeverisë.
Pas mbylljes së ditës së parë të takimit informal të qeverisë së re në Shkodër, kryeministri i ardhshëm Edi Rama reagoi në profilin e tij në Twitter duke dhënë edhe disa informacione për diskutimet në mbledhje.
Sipas tij, në mbledhjen e zhvilluar me dyer të mbyllura janë hedhur piketat e qarta për 100 ditët e para, por edhe për 300 ditët e qeverisë së re, të cilat do të përcaktojnë natyrën e qeverisjes dhe cilësinë e marrëdhënieve me njerëzit.
Mbledhja e qeverisë së re konsiderohet simbolike, pasi de juro është e pamundur të merren vendime deri në 12 shtator, atëherë kur pritet edhe dekretimi i saj.
Për herë të parë, qeveria Rama u mblodh në qytetin e Vlorës, aty ku Kryesocialisti u zgjodh deputet për herë të parë. Rama ka zgjedhur ashtu si në mbylljen e fushatës, dy qytetet e Vlorës dhe Shkodrës për të nisur punën e qeverisë së tij të re.