Kabineti i Karzait pëson goditje të re
Kryesuesi i misionit të OKB-së në Afganistan ka deklaruar sot se vendimi i ligjvënësve afganë, për të kundërshtuar 70 për qind të të emëruarve të presidentit Hamid Karzai për kabinetin e tij të ri, paraqet një goditje të re, e cila do të zvarritë përpjekjet për krijimin dhe fillimin e punës të një qeverie funksionale.
Kai Aide vendimin e parlamentit të Afganistanit që të refuzojë 17 nga 24 të emëruarit e Karzait e cilësoi si një shpërqendrim, në momentin kur Afganistani dhe bashkësia ndërkombëtare po tentojnë të përqendrohen në reformat e domosdoshme.
Ai theksoi se Karzai duhet të shpenzojë sërish energjinë e tij politike, për të emëruar zyrtarë të ri, duke shtyrë më tutje vendosjen e partneritetit mes qeverisë së re dhe donatorëve ndërkombëtarë.
Zëdhënësi i Karzait, Vaheeed Omar, pranoi se ky vendim i parlamentit nuk i kontribuon aspak fillimit të punës së qeverisë, nga e cila pritet që t’i ofrojë shërbime qytetarëve.
Karzai ka qenë i befasuar nga vendimi i parlamentit, tha Omar, por shtoi se presidenti ka nënvizuar faktin se ky vendim i ligjvënësve dëshmon se Afganistani ka një sistem pluralist politik.
“Kjo është bukuria e demokracisë. Ne jemi duke ushtruar demokraci”, tha Omar.