SHBA-ja mbyll ambasadën në Jemen
SHBA-ja ka mbyllur sot ambasadën e vet në Jemen, duke përmendur si arsye kërcënimet e degës së Al Qaidës në këtë shtet, degë kjo e cila ndërlidhët me sulmin e dystuar kundër një aeroplani në Detroit në ditën e Kërshëndellave.
Presidenti i SHBA-së, Barack Obama, deklaroi gjatë fundjavës se prapa sulmit të dështuar në Detroit qëndron dega e Al Qaidës në Jemen.
“Ambasada e SHBA-së në Sana është mbyllur, si reagim ndaj kërcënimeve të Al Qaidës në Gadishullin e Arabisë për të sulmuar interesat amerikane në Jemen”, u theksua në kumtesën e ambasadës.
Një zëdhënës i ambasadës nuk deshi të komentojë se a ekziston ndonjë kërcënim specifik ndaj kësaj ambasade. Javën e kaluar, ambasada amerikane ja tërhoqi vërejtjen shtetasve amerikanë në Jemen që të jenë të kujdesshëm.
Në kumtesë nuk u qartësua se për sa kohë do të mbetet e mbyllur ambasada amerikane në Sana.
Ambasada amerikane në Jemen është mbyllur disa herë gjatë viteve të kaluara për shkak të kërcënimeve të ngjashme.
Sulmi më vdekjeprurës në historinë më të re ndodhi në shtator të vitit 2008, kur militantët sulmuan ambasadën amerikane në Sana, me ç’rast humbën jetën gjithsej 19 persona.