Kaçani: Tarifat u rritën, do shtojmë 40 pedagogë

Jorgaq Kacani
Tarifa e shkollimit në masterat e Universitetit Politeknik është rritur me 20%. Gjithçka e bën me dije rektori i Universitetit Politeknik, Jorgaq Kaçani, një ditë pas miratimit të kuotave për këto programe. Shtesa e tarifës së shkollimit ka qenë më se e nevojshme për të plotësuar bazën laboratike. Ka një shtesë prej 20%, jo shumë të lartë, tha Kaçani. Sipas tij, UPT-ja do kërkojë 40 pedagogë të rinj për këtë vit akademik. Nevojat tona janë më të mëdha, por fillimisht ne kemi planifikuar të kërkojmë aq sa është e domosdoshme për të mos cenuar mbarëvajtjen e studimeve, tha Kaçani. Ai shtoi se kuotat e pranimit për degë të veçanta janë rritur deri në 100% vitet e fundit. Teknologjia e informacionit është një degë mjaft e kërkuar, e cila ka qenë prioritare dhe ka pasur dyfishim të kuotave 2-3 vitet e fundit, tha Kaçani. Sa i përket konkursit për degën e Arkitekturës, rektori i UPT-së theksoi se regjistrimet kanë filluar dhe kandidatët do ti nënshtrohen në datat 3,4 dhe 5 shtator. Pesha e konkursit do të zërë rreth 70 për qind të vlerësimit dhe 30 për qind do e zënë provimet e Maturës dhe mesatarja e kandidatit. Fillimisht bëhet regjistrimi sipas afateve të caktuara, ku dorëzohet dosja me dokumentet e kërkuara, tha Kaçani. Dega e Arkitekturës ka tarifën më të shtrenjtë të regjistrimit për konkursin e pranimit. Tarifa për ketë degë është 8 mijë lekë. Dy ditë më parë, qeveria miratoi kuotat e pranimit për programet Master i shkencës dhe Master profesional. Në total do të pranohen 17.654 studentë. Tarifat e shkollimit do të paguhen me këste, të cilat do të përcaktohen nga vetë fakultetet. Për një sërë kategorish sociale është vendosur që tarifa e shkollimit të paguhet në masën 50%.