Kaçe: Jam krenar për Shqipërinë
Mesfushori i PAOK-ut i tregon medieve greke se është i kënaqur me zgjedhjen që bëri për të veshur fanellën kuqezi. Ergys Kaçe ka dhënë dje përshtypjet e para për debutimin e tij me fanellën e Kombëtares shqiptare. Mesfushori korçar ka folur për mediat greke, teksa ndër tjera është shprehur se ndihet krenar që më në fund arriti të luante për kombin e tij.
Pasi vendosa të zgjedh Shqipërinë, e vërteta ishte se nuk dija se çfarë do të më priste. Mirëpo, jam vërtet shumë i lumtur për ambientin e ngrohtë që gjeta në Kombëtaren shqiptare. Lojtarët dhe tifozët më pritën mirë, saqë mu duk vetja sikur kisha vite që isha pjesë e skuadrës. Nga ana tjetër, më duhet të falënderoj trajnerin De Biazi.
Unë do të mundohem të fitoj besimin e tij. Ai është një trajner që nuk bën diferencime, por punon njësoj si me lojtarët e rinj, ashtu edhe me më të vjetrit, tha Kaçe për të përditshmen greke Sport Day. Më pas ai foli edhe për emocionet kur u fut në fushë në minutën e 85-të.
Ishte hera e parë që unë luaja në stadiumin e Tiranës. U ndjeva shumë krenar. Çdo gjë ishte e mrekullueshme, teksa të gjithë ishin të veshur me ngjyrat kuqezi. Tifozët na krijuan një klimë të ngrohtë. Ne tani besojmë te kualifikimi, ka përfunduar Kaçe.