E Diel, 1 Nëntor 2026

KINË – Pas Trump dhe Putin, edhe Xi anulon pjesëmarrjen në samitin G20-ës në Afrikën e Jugut

PEKIN, 13 nëntor /ATSH-DPA/ – Presidenti kinez, Xi Jinping, ka anuluar pjesëmarrjen e tij në samitin e G20-s, që përfshin vendet e industrializuara dhe ato në zhvillim, në Afrikën e Jugut, pas tërheqjeve të mëparshme nga presidenti amerikan, Donald Trump dhe presidenti rus, Vladimir Putin.

Sipas një njoftimi të Ministrisë së Jashtme kineze, kryeministri Li Qiang do të përfaqësojë Republikën Popullore të Kinës në Johannesburg në fund të këti muaji.

Kjo do të thotë se, për herë të parë që nga themelimi i grupit, presidentët e tre vendeve më të fuqishme të G20, Shtetet e Bashkuara, Rusia dhe Kina, nuk do të marrin pjesë në samit.

Rusia do të dërgojë zëvendësshefin e administratës presidenciale, Maxim Oreshkin.

Trump planifikon të përfaqësohet nga zëvendëspresidenti JD Vance.

Së fundmi, megjithatë, ai kërcënoi të bojkotojë samitin, duke akuzuar Afrikën e Jugut për vrasjen e fermerëve të bardhë dhe konfiskimin e paligjshëm të tokave të tyre, pa paraqitur dëshmi.

Grupi G20 përfshin 19 vende, Bashkimin Evropian dhe Bashkimin Afrikan. Në të përfshihen demokracitë kryesore perëndimore si SHBA, Gjermania dhe Britania e Madhe , por edhe shtete autoritare si Rusia, Kina dhe Arabia Saudite.

Kancelari gjerman, Friedrich Merz, planifikon të marrë pjesë në takim, më 22 dhe 23 nëntor./  /Ad.Ab./

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›