E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kaçiu pranë Çeske Budejovice

Futbollisti kosovar, Bardhyl Kaçiu është afër transferimit te klubi çek, SK Dynamo Çeske Budejovice. Mesfushorit të deritashëm i Trepçës, me të cilën e fitoi titullin e kampionit në Superligën e Kosovës, i shkuan punët shumë mirë te klubi çek, në provat që pati dhe në një ndeshje miqësore që e zhvilloi, kështu që ai i bindi udhëheqësit e këtij klubi që të nënshkruajnë kontratë me të.

Ish-futbollisti i Prishtinës do të mbetet në prova deri të mërkurën e ardhshme, ndërsa të nesërmen ose të pasnesërmen pritet edhe nënshkrimi i kontratës. Lajmin e ka bërë të ditur menaxheri i Kaçiut, Remo Rashica.

“Bardhyli ka impresionuar në stërvitje dhe në një ndeshje miqësore me ekipin Çeske Budejovice. Udhëheqësit e këtij klubi e kanë bërë ofertën gati. Kaçiu ka mundur të nënshkruante sot (të shtunën), por ne kërkuam të na jepnin kohë. Ata na ofruan kontratë trevjeçare, ndërsa ne insistojmë të nënshkruajmë për një vit. Bardhyli, brenda dy vjetësh, do të jetë top lojtar evropian”, u shpreh të shtunën menaxheri kosovar për Express.

Në prova edhe Saliagiq

Menaxheri Rashica njoftoi se, përpos Kaçiut, te Çeske Budejovice, kryetar i të cilit klub është legjenda e futbollit të këtij vendi, Karel Poborsky, po provohet edhe sulmuesi boshnjak i Prishtinës, Suad Saliagiq. “Edhe Suadi po provohet dhe ka mundësi të mira që, kah e enjtja ose e premtja, njëjtë si Bardhyli, të nënshkruajë kontratë me ekipin Budejovice”, nënvizoi Rashica.

Maliqi mund t’i bashkohet Karlsruher

Menaxheri i licencuar nga UEFA, Remo Rashica po e shikon mundësinë që t’ia gjejë një ekip edhe mesfushorit të Prishtinës, Behar Maliqi. Ky i fundit u provua disa ditë tek Arminia Bielefeld, por pozita në të cilën luan ai, ishte e ‘mbipopulluar’ me futbollistë cilësorë, kështu që atij i duhet të shikojë alternativa të tjera.

“Maliqi luajti mirë, por tek Arminia ishin 4 futbollistë të fortë që luajnë në pozitën klasike 6, andaj ishte e pamundur të largohej ndonjëri nga ta. Kështu që, për të do të shikojmë javën që vjen. Ai mund të provohet te klubi gjerman, Karlsruher”, tha Rashica.

Menaxheri kosovar bëri të ditur se për momentin, nuk ka në plan të menaxhojë futbollistë të tjerë nga Kosova, por nuk e përjashtoi mundësinë që kjo të ndodhë në të ardhmen.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›