E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kadare: Jahjaga ngriti imazhin e Kosovës në botë

PRISHTINË- Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, priti sot në takim shkrimtarin e shquar shqiptar, Ismail Kadare dhe bashkëshorten e tij, Helena Kadare.

Në një takim shumë miqësor, Presidentja Jahjaga dhe shkrimtari Ismail Kadare biseduan për çështje të ndryshme politike, shoqërore e kulturore dhe për proceset demokratike nëpër të cilat po kalon Kosova sot.

Duke i uruar mirëseardhjen në Kosovë dhe duke e përgëzuar për marrjen e çmimit ndërkombëtar "Ali Podrimja", Presidentja Jahjaga theksoi se është një nder i madh për gjithë Kosovën vizita e shkrimtarit të madh shqiptar Ismail Kadare, vepra e të cilit vazhdon të jetë frymëzim për të gjitha gjeneratat.

Ajo tha se kontributisë i Kadare për Kosovën, në shtypin dhe diplomacinë botërore, është i jashtëzakonshëm dhe me ndikim të madh.

Presidentja Jahjaga theksoi se Kosova sot është një shtet i pavarur e demokratik, që synon anëtarësimin në BE, NATO dhe në OKB.

Shkrimtari Ismail Kadare e përgëzoi Presidenten Jahjaga për punën dhe angazhimin e saj, me theks të veçantë në kontributin që ajo ka dhënë në ngritjen e imazhit të Kosovës në botë. Shkrimtari Ismail Kadare foli edhe për perspektivën evropiane të Kosovës, të Shqipërisë dhe të gjithë Ballkanit, duke theksuar se kjo është zgjidhja e natyrshme për secilin vend të rajonit, bëri të ditur Presidenca kosovare.

Shkrimtari Ismail Kadare, u nderua mbrëmë me çmimin ndërkombëtar "Ali Podrimja" për vitin 2013, nga Qendra Kulturore Universitare AAB, për arritje kulminante në fushën e letërsisë dhe të artit.
(m.a/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›