Kadare: Përse sistemi është bllokuar?

Shkrimtari Ismail kadare flet për situatën aktuale në Shqipëri, kjo në nje intervistë për gazetën shqiptaro – amerikane «Iliyria» të New York. Ja se cfarë shkruan shkrimtari:
"Eshtë e njohur tashmë se një vend jo normal sundohet «mirë», por qeveriset keq. Këtë të vërtetë e njohin sidomos sistemet totalitare, qysh nga diktaturat hidrike (ato që kanë përdorur mungesën e ujit si mjet sundimi), gjer në ditët tona. Vetëm në rende të tilla, që dalin nga rendi normal i gjërave mund të krijohen psikoza të sëmura, ato që lindin pastaj ankthet dhe terrorin, shenjat e pashmangshme të sundimit tiranik.
"Në mesazhet e panumërta që vijnë këto ditë nga Tirana, për t`u shpërndarë anekënd në diasporën shqiptare, rrallë herë mungojnë shenja të tilla. Të gjithë popujt e ish-Lindjes janë tepër të ndjeshëm ndaj tyre. E në këtë kah do të ishte e kuptueshme që shqiptarët, ata që tiraninë e patën më të egrën e më të zgjaturën, do të ishin dyfish më të ndjeshëm. Në ngjarjet e janarit, midis psikozës dhe veprimeve shpesh kaotike, ata do të kapnin spikamën e fantazmës së totalitarizmit, rendit të përmbysur 20 vjet më parë".
"Më 21 janar, gjatë një demonstrate, për fat të keq të dhunshme, u vranë me armë tre njerëz të paarmatosur, pra të pafajshëm, qytetarë të shtetit demokratik shqiptar, e njëkohësisht tre qytetarë të ardhshëm të Bashkimit Europian. Kjo e fundit nuk theksohet as për të mitizuar e as për të sublimuar këtë Bashkim, por për t`u kujtuar të gjithëve se ne, pa hyrë ende në këtë shtëpi të përbashkët, kemi cënuar programin e saj, atë program që me sinqeritet dhe përkushtim e kemi shpallur si programin tonë".
"Shqipëria duhet të përgatitet për t`i thënë ndal një përçudnimi të tillë. Duhet pranuar se kjo s`është as e thjeshtë e as e lehtë. Kërkon vullnet pa dyshim, po në radhë të parë kërkon bindjen e thellë që demokracia shqiptare, ajo që në të vërtetë është e pandarë sot nga Shqipëria, duhet marrë seriozisht".
U bë një luftë në Ballkan, nga ato për të cilat thuhet «u tund bota». U cilësua kjo si «luftë morale», tepër e rrallë në histori, dhe në të vërtetë ashtu ishte: luftë kundër një masakre, një shpërnguljeje, një tmerri, në emër të mbrojtjes të së drejtavze njerëzore. Shqiptarët u gjendën në qendër të saj, ndaj e thënë shkurt, lufta u bë për ta. Si rrjedhojë harta e Ballkanit , dhe jo vetëm harta, ndryshoi. Në një këndvështrim më të epërm kjo luftë pak a shumë mund të quhej : rivendosja e një drejtpeshimi të prishur".
Në lidhje me 21 janarin e reagimet nga ndërkombëtarët, Kadare shtron thirrjet e tyre.
“Marrëdhëniet tona me ndërkombëtarët dëshmojnë paqartësinë, mungesën e parimeve, shkurt, ankthin tonë të pafund.Ne jemi në një aleance europiane. Një aleancë nuk është një idil me baresha e me fyej. Në botën tonë të ashpër një aleancë është, para së gjithash, një shtab në gjendje alarmi , ku midis aleatëve mund të ketë edhe acarime, edhe moskuptim, por gjithmonë për parime të mëdha. Ne e kemi pranuar këtë gjendje. Kjo aleancë është shansi i vetëm i një populli tepër të vetmuar. Një ngecje te pragu i Europës, ose më keq, një përplasje portash në fytyrë, ka gjasë të shënonte fundin e rrugëtimit tonë në histori.
Në kohën tonë janë tepër të rrallë popuj që mund të kenë histori të veçuar nga të tjerët. Ka kohë që fatmirësisht historia jonë nuk është më e tillë. Ajo është histori shqiptare e njëherësh shqiptaro-europiane” thote Kadare.