Kadare çmim në Bilbao për humorin e zi kafkian

Shkrimtari Ismail Kadare
Një tjetër çmim për shkrimtarin Ismail Kadare. Por kësaj here për sensin e tij të humorit të zi dhe ironisë kafkiane. Drejtori i Javës Ndërkombëtare të Letërsisë dhe Artit Humoristik, La Risa de Bilbao, shkrimtari Juan Bas, ka deklaruar se tema e edicionit të sivjetshëm do të jetë humori si armë kundër barbarisë, në cilëndo formë që ajo shfaqet. Edicioni i tretë i këtij festivali do të zhvillohet nga data 2-7 tetor dhe ka zgjedhur si këndvështrim të këtij viti humorin si një armë sa mbrojtjeje, ashtu edhe sulmi kundër barbarisë në formën e totalitarizmit, terrorizmit, margjinalizim kulturor… dhe në formën më të përgjithshme gjithçka që çon në shkatërrimin e kulturës dhe të qytetërimit. Sipas Bas, këtë vit çmimi i festivalit do ti akordohet shkrimtarit shqiptar, fitues i çmimit Princi i Asturias dhe kandidat për çmimin Nobel, Ismail Kadare, që përmes një humori të zi dhe kafkian ka denoncuar barbarinë në Shqipëri. Sipas organizatorëve, Kadare do të jetë i pranishëm në ceremoninë e dhënies së çmimit dhe do të flasë përpara publikut, bashkë me shkrimtaren Carmen Posadas. Në këtë edicion, i cili është më modest se ai i një viti më parë, me një buxhet prej 350.000 eurosh, do të zhvillohen edhe tri sesione mbi temën Dialogu mes shkrimtarëve.
Në dialogun e parë, historiani Paul Preston dhe novelisti Lorenzo Silva do të flasin mbi Humori nën bomba, duke u përqendruar në periudhën e bombardimit mbi civilët gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe në luftën civile spanjolle, pasi koincidon me 75-vjetorin e bombardimit të Guernikës nga trupat gjermanë.
Poeti Andres Trapiello dhe filozofi Fernando Savater do të flasin mbi humorin kundër barbarisë dhe shkrimtarët baskë Jon Juaristi dhe Bernardo Atxaga mbi Kompromisin e autorit nën barbari. Gjatë ditëve të festivalit nuk do të mungojnë edhe ekspozitat me karikatura, promovimet e librave etj.