Miratohet akti normativ për banesat, gjykata e quajti antikushtetues
Tiranë- Komisioni Parlamentar i Ligjeve ka miratuar sot aktin normative të qeverisë “Për lirimin e banesave të pronarëve të ligjshëm nga qytetarët e pastrehë, banues në banesat ish-pronë e subjekteve të shpronësuara”.
Akti është miratuar vetëm më votate maxhorancës, ndërkohë që opozita edhe pse ishte parimisht pro këtij akti, ka votuar kundër me argumentin se mënyra juridike që është zgjedhur për t`i dhënë drejtim këtij problemi është jo kushtetuese.
Sipas deputetit të PS-së, Pandeli Majko, kjo është hera e tretë që qeveria sjell të njëjtin ligj, por në forma të ndryshme, pasi dy herët e tjera që erdhi në formën e p/ligjit, është rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese.
Majko ka deklaruar se qeveria i ka hequr opozitës çdo mundësi diskutimi të këtij ligji, duke e sjellë atë si një akt normativ dhe duke mos lejuar gjetjen e një zgjidhjeve sa më të mirë të këtij problemi.
“Qeveria ka vendosur t’u legalizojë tokën e zënë qytetarëve, ndërsa në rastin kur qytetari ka zënë një banesë e nxjerr jashtë”, tha Majko.
Ministri i Punëve Publike dhe Transportit, Sokol Olldashi, i pranishëm në këtë komision, bëri të ditur se akti normativ synon lirimin e pronës pronarëve të ligjshëm, si një e drejtë themelore dhe e patjetërsueshme e njeriut. Akti normativ, tha ai, përcakton datën 1 nëntor si afatin final, për nisjen e zbatimit të procesit për lirimin e banesave të pronarëve të ligjshëm.
Olldashi bëri të ditur se, akti nuk cënon asnjë garanci apo siguri juridike për të pastrehët që banojnë në këto prona. Kjo kategori, nënvizoi ai, ka qenë në dijeni të afateve ligjore. “Kur kanë kaluar 20 vjet nga nisja e kthimit dhe kompensimit të pronave, këtyre subjekteve u janë ofruar të gjitha mundësitë të aplikojnë për kredi për strehim, me 0 % interes, por pjesa më e madhe e tyre nuk ka paraqitur interes t’i tërheqë ato, ose të paraqitet për aplikim”, deklaroi Olldashi.
Dias ditë më parë një nga familjet që jetojnë në këto banesa dërgoi një denoncim në IDEA ku pretendonin se ky akt normativ është tërësisht i kundraligjshëm pasi ai bie ndesh me një vendim të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2005 që e shfuqizon ligjin, mbi të cilin del edhe ky akt normative.
Më poshtë ne po botojmë letrën e sjellë nga një familje që jeton në këto shtëpi:
Në vitin 1992, mbi 230 mijë familje privatizuan banesat shtetërore, u privatizuan me mijëra njësi tregëtie me çmime simbolike, që varionin nga 15 mijë deri në 30 mijë leke të reja dhe kjo si njohje e kontributit të tyre ndër vite dhe qerasë së paguar shtetit. Ndërkohë që rreth 4500 familjeve të tjera, të cilët gjithashtu kanë banuar në banesa shtetërore, ish-pronë private, që edhe këta ashtu si dhe të parët kanë dhënë kontributin e tyre dhe paguar taksat e kohës, nuk përfituan asgjë nga shteti. Por shikoni çpo ndodh! Qeveria nxjerr një akt normativ për lirimin e banesave në kundërshtim të plotë me Vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë nr.26 dt.02.11.2005, vendim i cili shfuqizoi si antikushtetues pikën 1 të nenit 9 të ligjit nr.9235 dt.29.07.2004, ku del haptazi trajtimi me dy standarte i grupeve të ndryshme shoqërore.
Ndërsa në ligjin e përmendur në këtë nen thuhet se banorëve në fjalë do tu jepet kredi me interesa të buta, në ligjin e më pasëm nr.9583 dt.17.07.2006 që gjoja u reflektua nga vendimi Gjykatës Kushtetuese, u la përsëri që këta banorë të marrin kredi, por me interesa zero. Pra në thelb mjerisht ky ligj, si dhe akti normativ i miratuar nga qeveria më 01.08.2012, janë në thelb të njëjtë me pikën 1, të nenit 9, të ligjit nr.9235 dt.29.07.2004. Çka do të thotë se një grup shoqëror shqiptar e privatizoi banesën shtetërore në vitin 1992 me 20 mijë lekë të reja, ndërsa për grupin tjetër shoqëror sot prej rreth 4500 familjesh qeveria thotë që të marrin kredi dhe ta shlyjnë për një maksimum prej 30 vjet.
E pa pranueshme dhe antikushtetuese, sfidë ndaj vendimit të Gjykatës Kushtetuese që përbën një precedent të rrezikshëm për funksionimin e shtetit ligjor. Si parlamenti, ashtu dhe qeveria, nuk mund të kalojnë për së dyti, apo së treti, një ligj, nene të të cilit në thelb janë antikushtetues për analogji. Një padrejtësi e bërë nga shteti në sistemin e kaluar, nuk mund të zgjidhet me një padrejtësi të re, aq më keq kur padrejtësia mban vulën e shtetit. Eshte trishtues dhe shumë shqetësues edhe fakti që nuk ka reagime nga politikanë, ligjëvënës, përfaqësues të shoqërisë civile, intelektualë, apo media në lidhje me këtë çështje.
Jan ëplot 3289 persona që banojnë në shtëpitë e pronarëve të ligjshëm që duhet të ndjekin procedurate përshpejtuara për të përfituar kredi me interes 0% për një afat deri në 30 vjet. Enti Kombëtar i Banesave dorëzoi para pak ditësh pranë Bankës Kombëtare Tregtare listën e të gjithë personave që banojnë në shtëpitë e ish-pronareve dhe që përfitojnë kredi me interes zero për një afat deri në 30 vjet për të zgjidhur problemin e strehimit te tyre dhe për të liruar ambientet ku banojnë aktualisht. Konkretisht, lista përmbante peshën kryesore nga Bashkia Tiranë, me 908 raste, duke vijuar me atë të Durrësit me 869 raste dhe të Shkodrës me 605 të tilla në total.
/IDEA/