E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kadare dhe tri primatet e vendimit të gjykatës

MATTEO MANDALA

Ka së paku tri arsye që më shtyjnë të komentoj rezultatin e përkohshëm të procesit gjyqësor mbi çështjen e dorëshkrimit të romanit Dimri i vetmisë së madhe.
Para se ti shtjelloj ato dhe pa dashur të ndërhyj në vendimin final të Gjykatës, e shoh të udhës të them se fati i këtij dorëshkrimi të vyer është shënuar qysh nga çasti që ai i është dorëzuar Arkivit të Shtetit. Pavarësisht nga arsyet e vërteta që e shtynë znj. Hoxha ta ndërmarrë këtë hap (ishte një vendim i saj i pavarur apo u detyrua nga gjykata), nuk ka dyshim se ato një mijë faqe autografe të Kadaresë vështirë se mund ti rikthehen asaj. Kjo për arsyen e thjeshtë se vetë znj. Hoxha, në njëfarë mënyre, i ka pranuar arsyet e shkrimtarit, përderisa ajo vetë, para se të hidhej në gjyq nga Kadareja dhe pasi refuzoi kërkesat e prof. Shaban Sinanit dhe Kasem Biçokut, përkatësisht ish-drejtor i Arkivit të Shtetit dhe i Muzeut Historik kombëtar, ndjeu nevojën tia dorëzonte një fotokopje institucionit publik ku duhej ruajtur në fakt dorëshkrimi origjinal. Ky lloj lëshimi vullnetar na bënte të mendonim se herët a vonë puna e dorëshkrimit do të kishte shkuar ashtu siç shkoi, në fakt; dyshimi kishte të bënte vetëm me mënyrën e zgjidhjes, pra nëse do të mjaftonte ndërhyrja e ndërmjetësve apo do të ishte i domosdoshëm një vendim gjykate. Me thënë të drejtën, unë shpresoja në zgjidhjen e çështjes përmes gjykatës, dhe kjo sepse këtu nuk kemi të bëjmë me një mosmarrëveshje mes dy individësh, por, sikurse do të rrekem ta shtjelloj më poshtë, me disa aspekte kyçe dhe objektivisht parimore që kanë të bëjnë me tërë prodhimin letrar dhe artistik gjatë regjimit komunist e që sot ndikojnë drejtpërdrejt në studimin shkencor të asaj periudhe historike. Çështja private e dorëshkrimit të veprës më të diskutueshme, më të kritikuar e më të manipuluar të letërsisë së sotme shqipe, u jep shkas konsideratave të mëposhtme që rrahin të trajtojnë një problem i cili shkon përtej atij dorëshkrimi dhe përfshin vlera që janë pronë shpirtërore e gjithë shoqërisë.
Arsyeja e parë ka të bëjë me filologjinë tekstore shqipe, disiplinë me të cilën jam i lidhur veçanërisht për shkaqe profesionale. Prej vitesh merrem me përgatitjen e botimeve kritike të veprave të vjetra e të reja të letërsisë arbëreshe dhe shqiptare. Këto botime janë fryt i studimit të varianteve dorëshkrimore të veprës përmes analizës së procesit krijues me synimin e rindërtimit të ekuilibrit delikat mes autorit dhe tekstit para se vepra me botimin e saj të marrë formë përfundimtare. Kjo punë udhëhiqet nga parimi i shenjtë i qëmtimit dhe respektimit të vullnetit të fundit të autorit. Përmes një metode ekdotike të qartë dhe rigoroze, filologu i shpalos lexuesit jo vetëm veprën e vërtetë sipas vullnetit të autorit, por rindërton në mënyrë dinamike gjithë procesin krijues duke hapur shtigjet që e shpien lexuesin, po të përdorim metaforat e njohura të Flaubert-it dhe Kafkës, në strofkën tekstore brenda së cilës strehohet autori. Me fjalë të tjera, filologjia jo vetëm që realizon premisën semiotike me anë të së cilës Barthes dekreton vdekjen e autorit, por, duke ndjekur gjurmët e Foucault-it, synon ta shndërrojë autorin në një funksion të tekstit e të përshkojë procesin e ngjizjes së identitetit të tij artistik përmes të dhënave që dalin nga vetë teksti.
Është e qartë se suksesi i këtij operacioni filologjik varet kryesisht nga dorëshkrimet, të cilat në këtë mes lozin një rol të pazëvendësueshëm. Për më tepër, ky rol merr një rëndësi të veçantë në studimin e letërsisë shqipe të prodhuar gjatë regjimit komunist, mirëpo pikërisht për këtë periudhë letrare mungojnë pothuajse krejtësisht studimet e mirëfillta filologjike. Në këto radhë nuk po zgjatem në shtjellimin e arsyeve të kësaj mangësie, edhe sepse ato i ka analizuar mjaft mirë miku dhe kolegu, prof. Sinani, në dy libra të tij (Një dosje për Kadarenë dhe Letërsia në totalitarizëm). Këtu po kufizohem të marr shkas nga mungesa thuajse totale e materialeve dorëshkrimore që kanë cenuar rëndë rezultatet e atyre pak studimeve monografike mbi veprat e gjysmëshekullit të diktaturës. Këto studime, duke u bazuar ekskluzivisht në tekstet e botuara, jo vetëm që nuk ndjekin një metodë filologjike rreptësisht shkencore, por shpesh ushqejnë dyshime dhe paragjykime jashtëtekstore pikërisht për shkak të mungesës së dokumenteve autografe, të cilat janë i vetmi burim i besueshëm i vullnetit të fundit të autorit. Kështu, fjala vjen, edhe pse në vështrim të parë mund të duket i dobishëm shqyrtimi i varianteve të romanit Dimri i vetmisë së madhe sipas botimeve të viteve 1973 – 1999, në fakt rezultati do të ishte i paplotë pikërisht sepse nuk merr parasysh versionet dorëshkrimore autografe. Këtu qëndron edhe primati i parë i këtij vendimi gjyqësor: ai i jep studiuesit mjetet e domosdoshme për të studiuar historinë e një teksti dhe njëkohësisht për të rindërtuar identitetin artistik të autorit.
Arsyeja e dytë që më shtyu të shkruaj lidhet pikërisht me këtë pikë. Vendimi i gjykatës, edhe pse i përkohshëm, merr një rëndësi të veçantë sepse i njeh të drejtën e pronësisë intelektuale autorit. Po ta shohësh hollë, denoncimi i Kadaresë është në fakt një akuzë e bërë në emër të kulturës liberale e demokratike kundër mbeturinave të konceptimit kolektivist në fushën e krijimit artistik dhe njëherazi është edhe afirmimi përfundimtar i parimit që sanksionon mbrojtjen e të ashtuquajturës të drejtë të autorit. Pranimi i kërkesës së shkrimtarit nga ana e gjykatës jo vetëm që dëshmon hapur se gjyqtari njeh personalitetin juridik të autorit, të drejtën e tij morale mbi autorësinë, integritetin dhe ribotimin e veprës, por tërthorazi hedh poshtë pretendimet qesharake sipas të cilave ai dorëshkrim ishte dhurata që autori i vdekur i kishte bërë vullnetarisht Pushtetit. Nuk është rasti këtu të ndalemi gjatë në vlerën shoqërore që kishin gjatë regjimit nocione të tilla si dhuratë, autor dhe pushtet. Ti dhuroje diçka udhëheqjes ishte një akt nënshtrimi vullnetar para pushtetit apo thjesht një përpjekje njerëzore për tu çliruar sadopak nga trysnia e tij? Po aq i përçudnuar ishte nocioni autor, jo vetëm se këtij i mohohej statusi juridik që në botën e lirë sanksionon të drejta të patjetërsueshme, por sepse autori, që konsiderohej thjesht si një nëpunës me rrogë i shtetit socialist, nuk mund të pretendonte kurrgjë, e aq më pak të drejtën e pronës intelektuale. Këtej rrjedh arroganca e Pushtetit, i cili jo vetëm që ngrihej si gjykatës i vetëm për të vendosur mbi cilësinë artistike të një vepre duke shkelur me të dyja këmbët të drejtat e autorit, por mund të dekretonte jetën ose vdekjen e një vepre, madje shpesh edhe të autorit të saj.
Duke i njohur vendimit të gjykatës këtë primat të dytë që rivendos të drejtën e autorit të përdhosur gjatë dhjetëvjeçarëve të regjimit totalitar, dua të shtoj si përfundim arsyen e tretë që më shtyu të shkruaj këto radhë e që është më e rëndësishmja, sepse duke prekur drejtpërdrejt çështjen e shumëdiskutuar të marrëdhënieve mes letërsisë dhe pushtetit, vë në pah vlerën objektive të zgjidhjes gjyqësore. Së pari do thënë se nuk është aspak e vërtetë se sistemet demokratike dhe liberale nuk janë rrekur kurrë ta kufizojnë lirinë e letërsisë. Në historinë e romanit, përpjekje për tia mbyllur gojën e për ta nënshtruar fuqinë krijuese të letërsisë ka pasur edhe në shtetet më liberale. Në Francë, në vitin 1857 u hodh në gjyq kryevepra e Flaubert-it, ndërsa në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në vitin 1933, përmes gjykatës, u tentua të ndalohej botimi i Uliksit të Joyce-it. Në të dyja rastet fituan shkrimtarët, por arsyet e vërteta të këtyre përpjekjeve fshehin, në fakt, prirjen e pushtetit për të mbrojtur moralin publik nga letërsia e korruptuar, me fjalë të tjera, për të shmangur rrezikun që mund ti vijë lexuesit prej ngatërrimit të fa

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›