Gjobë 26-vjeçares, i zhvati lekët kunatës

Gjykata e Tiranes
TIRANE – Një 26-vjeçare u gjobit nga Gjykata e Tiranës pasi u deklarua fajtore për “zhvatjen” e llogarisë bankare të kunatës së saj, duke i përdorur fshehurazi kartën bankare. Sipas vendimit të shpallur pak ditë më parë, Aslira J. duhet të paguar 100 mijë lekë gjobë. Ajo u deklarua e fajshme për veprën penale të “vjedhjes”. Historia e “vjedhjes brenda familjes” ka zënë fill në ditët e fundit të vitit 2011, por është zbuluar rreth një javë më vonë. Sipas vendimit, autorja e vjedhjes u zbulua falë pamjeve të kamerave të bankomatit ku ishte realizuar tërheqja e parave. Sipas vendimit, më 6 janar, shtetasja J. A. ka shkuar të kryejë një veprim në një bankë të nivelit e dytë. Nga punonjësit e bankës i është dhënë një kopje e veprimeve të kryera dy muajt e fundit në llogarinë e saj dhe ajo ka parë që aty ishin tërhequr para në gjashtë raste. Në këtë moment ajo pa që në portofol i mungonte edhe karta. Menjëherë ajo ka sinjalizuar bankën dhe ka kërkuar bllokimin e kartës. Në vijim, referuar orareve kur ishin bërë veprimet me kartën në emrin e saj, banka i vuri në dispozicion pamjet e një bankomati në zonën e Freskut në Tiranë. “Këto pamje fotografike i janë paraqitur kallëzueses, shtetases J. A., dhe ajo ka konfirmuar se personi femër që paraqitet në këto foto duke kryer veprime me kartën e saj bankare është bashkëshortja e vëllait të saj, e cila quhet Aslira J.”, thuhej në vendim. Gjatë gjykimit, e pandehura ka pranuar akuzën dhe është treguar e penduar. ar.ba