Patozi: Rama më kollaj jep shpirtin se imunitetin!
Astrit Patozi, kryetar i grupit parlamentar të PD-së, ia kushtoi tërësisht fjalën e tij në parlament veprimeve të ndërmarra nga opozita, që lidhen me ndryshimet kushtetuese për heqjen e imuniteteve. Patozi e cilësoi liderin e opozitës Edi Rama si armikun më të egër të heqjes së imuniteteve, duke shtuar se Partia Socialiste që prej vitit 2003 ka kundërshtuar heqjen e imuniteteve. Ndërkohë që amendamentet për ndryshimet kushtetuese të paraqitura nga opozita, kryetari i grupit parlamentar demokrat i etiketoi si paçavure.
Qëndrimi i mazhorancës
Patozi theksoi se zgjedhësit i duan ligjvënësit pa imunitet, pasi askush prej tyre nuk voton që deputetët të kenë licencë për të vjedhur dhe në fund askujt të mos i hyjë gjemb në këmbë. Të gjithë e dimë se në këtë sallë ka shumë deputetë, veteranë të zgjedhur në disa legjislatura rresht që kujtohen se kanë imunitet vetëm kur ky debat kthehet në skenën politike, kur ata nuk kanë nevojë për mbrojtje imuniteti. Ashtu sikundër ka nga ata që bëhen deputetë vetëm për tu mbrojtur nga imuniteti, por ata nuk duhet ta mbajnë peng Partinë Socialiste, ndaj PS duhet të çlirohet nga këta pengmarrës që japin shpirtin dhe imunitetin jo, u shpreh Patozi. Ai apeloi që të hiqet imuniteti, ndërsa referendumin e cilësoi si një rrugë të mundimshme, por theksoi se do përdoret çdo mjet ligjor për të arritur te synimi i madh, Shqipëria pa imunitet.
Patozi iu tha kolegëve socialistë se edhe po të votonin që nesër për heqjen e imunitetit do ishin sërish përgjegjës për imazhin e vendit dhe për zvarritjen e stërgjatë, pasi projektligji për shkak të tekave të Partisë Socialiste është katandisur në një draft që nuk kënaq plotësisht.
Akuzat e opozitës
Lidhur me akuzat e bëra nga Gramoz Ruçit për Presidentin Bujar Nishani ai tha se askush nuk ka ndërmend ta mbrojë pasi është në një post që nuk ka nevojë për mbrojtje, por shtoi se kupton dhimbjen e humbjes së një beteje, ku kujtoi se në qershor të vitit që vjen Partia Socialiste do ndeshet me Partinë Demokratike dhe jo me Bujar Nishanin. Ashtu si ju ne duam të marrim statusin e kandidat, por vullneti jonë nuk mjafton dhe që kjo të ndodhë ka vetëm një rrugë, bashkëpunim. Kjo është opozita e vetme në botë që për inat të Partisë Demokratike bllokon, por iu them se zgjedhjet janë rruga e duhur, përmbylli fjalën e tij Patozi.
Topalli: Opozita të reflektoj dhe të votoj në Kuvend
Pas një muaj ndërprerje, deputetët e Kuvendit të Shqipërisë nisën sesionin parlamentar të vjeshtës. Në fjalën e hapjes, kryetarja e Kuvendit, e cilësoi sesion e ri parlamentar, si tepër të veçantë pasi përkon me 100-vjetorin e Pavarësisë. Zonja Topalli u ndal në prioritetet e kësaj legjislature, duke e vënë theksin në reformat për të përmbushur kushtet e BE-së. Kemi përpara një axhendë integrimi dhe reformash. Siç e keni konstatuar në këtë sallë edhe pse herë të bojkotuar apo të trazuar një gjë nuk ka ndryshuar, axhenda, ajo e ka patur dhe e ka emrin vetëm reformë. Disa nga këto reforma kërkonin edhe votën e opozitës, për disa, opozita muajt e fundit ka votuar së bashku me mazhorancën. Por me 6 gusht ne mbyllim sesionin ashtu siç nuk duhej. Nuk u votua një ligj që lidhej me heqjen e privilegjit tonë. Ky ligj, si edhe ai i Gjykatës së Lartë, nuk miratohen nëse opozita nuk voton. Miratimi i tyre nuk bëhet për ti bërë as nder, as favor mazhorancës, as edhe qeverisë. Ato i shërbejnë vendit, por kërkohen edhe nga Brukseli, tha Topalli.