Kadastra përfundon legalizimin e 112 banesave në Lushnjë

TIRANË, 27 gusht /ATSH/ Agjencia Shtetërore e Kadastrës ka përfunduar procesin e legalizimit për 112 banesa në njësitë administrative Kolonjë dhe Bubullimë (bashkia Lushnjë).
Sipas njoftimit të Kadastrës, të gjithë aplikuesit që kanë plotësuar dokumentacionin dhe kanë qenë të pranishëm gjatë procesit të matjeve në terren janë pajisur me vendimin e legalizimit.
Në kuadër të vijimit të procesit, ASHK ka publikuar në faqen zyrtare listat emërore të banorëve që duhet të plotësojnë dokumentacionin e nevojshëm për përfundimin e legalizimit, si edhe listën e personave që nuk janë gjetur në banesë gjatë verifikimeve në terren.
Kadastra u bën thirrje qytetarëve që e kanë emrin në këto lista të paraqesin një kërkesë pranë Drejtorisë Vendore të Kadastrës Lushnjë, duke lënë edhe një numër kontakti.
“Bashkëpunimi është i rëndësishëm që procesi të mos mbetet pezull dhe legalizimi i banesës të mund të përmbyllet”, thekson ASHK.
/e.xh/r.e/