Kadastra, zgjidhje për 72 subjektet e pallatit të braktisur nga ndërtuesi

TIRANË, 27 nëntor /ATSH/ Agjencia Shtetërore e Kadastrës njofton se i ka dhënë zgjidhje pronësisë për 72 subjekte në pallatin pranë qendrës së Tiranës, që ishte braktisur nga ndërtuesi.
Në një njoftim për shtyp, ASHK bën të ditur se, banorët e pallatit të ndërtuar në vitin 2006, pranë qendrës së Tiranës, për shumë vite nuk kanë mundur të pajisen me certifikatë pronësie për shkak të braktisjes nga ndërtuesi.
Pas një bashkëpunimi të ngushtë me administratorin e zgjedhur nga banorët, u bë i mundur evidentimi në terren si dhe plotësimi i dosjeve me dokumentacionin tekniko-ligjor për secilin nga përfituesit, për të përmbyllur kështu procedurën e legalizimit.
“Aktualisht janë gati 72 vendime për t’i dhënë zgjidhje përfundimtare çështjes së pronësisë për banorët e këtij pallati. Pas kalimit të afatit 30 ditor të njoftimit, ata mund të regjistrojnë lehtësisht vendimin e përfituar dhe njëkohësisht të aplikojnë për pajisjen me dokumentacionin e pronësisë, nëpërmjet portalit e-Albania”, thekson ASHK në njoftimin për shtyp.
1 nga 5/a.f/r.e/