E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kadetët e rinj të FSK-së japin betimin

Nga Express më 16 shtator 2011 në ora 13:16

Kanë dhënë betimin 11 kadetë të gjeneratës 2015 të FSK-së, të cilët prej tani do të vazhdojnë shkollimin katërvjeçar që mbahet në Qendrën për Studime Universitare (QSU) të FSK-së dhe në Universitetin Amerikan, në Prishtinë.

Të pranishëm në këtë ceremoni betimi ishin zëvendësministri Bejtush Gashi, zv.komandanti i Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes, kolonel Shaip Neziri, si dhe familjarët e kadetëve.

Me këtë rast, të pranishmëve më një fjalë rasti i është drejtuar, zëvendësministri i FSK-së, Bejtush Gashi, i cili duke uruar kadetët e rinj ka thënë se Ministria e Forcës së Sigurisë së Kosovës është e përkushtuar që të ndërtoj një forcë moderne dhe profesionale të sigurisë.

Ai tha se për arritjen e këtij objektivi nuk mjafton vetëm dëshira dhe përkushtimi i pjesëtarëve të FSK-së, por sipas tij, duhet edhe një arsimim profesional me dije të avancuar në këtë fushë.

“Para jush të nderuar të pranishëm janë rreshtuar kadetët më të mirë që me sukses kanë kaluar të gjitha testet dhe duke përballuar të ashtuquajturën javën e ferrit, javën e fundit. Për këtë të dashur kadet ju përgëzoj dhe ju përshëndes. Duke ju bazuar në gatishmërinë tuaj përkushtimin dhe profesionalizmin e stafit të Qendrës së Studimeve Universitare shprehi bindjen se detyrat dhe sfidat që na presin do t’i arrimë dhe t’i përballojmë me sukses”, ka thënë Gashi.

Për më tepër duke ju drejtuar kadetëve, Gashi ka kërkuar nga ata një angazhim disiplinë dhe këmbëngulësi në arritjen e rezultateve maksimale

Ndërsa, zëvendëskomandanti i Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes, kolonel Shaip Neziri, ka theksuar se programi i studimeve në Qendrën për Studime Universitare në FSK-së ka për qëllim që t’i avancoj kadetët në fushën e sigurisë ushtarake.

Sipas tij, ky është një program i bazuar në standarde ndërkombëtare dhe garanton një studim dhe trajnim të suksesshme.

“Kadetët të cilët kanë diplomuan deri më tani në QSU, shumica nga ta kanë vazhduar specializime të ndryshme në lëmit ushtarake si në SHBA dhe në Mbretërinë e Bashkuar, trajnime në këmbësori, trajnime për komunikim dhe trajnime në logjistikë. Kalimi i sfidave të ndryshme për gjatë 4 viteve nuk do të jetë i lehtë pa ndihmën dhe përkrahjen e familjareve, kjo tregon që përkrahjen e juaj vazhdimisht do të jetë një ndihmesë e madhe për kadetët dhe shkollën tonë”, ka thënë Neziri

Ndryshe, Qendra për Studime Universitare aktualisht ka 40 kadetë me dy programe të studimeve akademike. Programi në Universitetin Amerikan të Kosovës si dhe programin Akademik të Shkencave Ushtarake në CSU, program ky i bazuar në programin e edukimit dhe trajnimit të oficerëve nga SHBA-të.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›