E Shtunë, 31 Tetor 2026

AAK inkurajon për kujdes dhe vendosmëri

Nga Express më 15 shtator 2011 në ora 22:22

Kryesia e AAK-së vlerëson se operacioni që pritet të ndërmerret nesër nga institucionet vendore, EULEX-i dhe KFOR-i për dërgimin e policëve dhe doganierëve në pikat kufitare 1 dhe 31, është i rëndësisë së veçantë si një prej hapave të vendosjes së autoritetit shtetëror në veri të Kosovës.

Përmes një komunikate për media Kryesia e AAK-së inkurajon institucionet e Kosovës dhe mekanizmat ndërkombëtarë në Kosovë, KFOR-in dhe EULEX-in, që me kujdes dhe me vendosmëri të realizojnë përmbushjen e qëllimit legjitim dhe demokratik të vendosjes së oficerëve policorë dhe doganorë në veri.

Kryesia e AAK-së vlerëson koordinimin dhe angazhimin e përbashkët të institucioneve vendore dhe mekanizmat ndërkombëtarë në Kosovë me synim të sigurimit të udhëheqjes së përkushtuar të operacionit Kushtetues dhe ligjor.

Po ashtu, Kryesia e AAK-së rithekson se problemi i përshkallëzuar i situatës në komunat në veri të Kosovës është çështje e mungesës së sundimit të ligjit, mungesë kjo që i ka dhënë hapësirë funksionimit dhe forcimit të grupeve të krimit të organizuar dhe kontrabandës atje.

Duke përcjellë me vëmendje zhvillimet e tashme, AAK është e bindur se qytetarët e asaj pjese të Kosovës do të shohin se funksionimi i Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës është në mirën e tyre dhe perspektivën demokratike të tyre.

“Interesi i qytetarëve të komunave në veri të Kosovës vlerësojmë se është direkt i lidhur me mundësimin e funksionimit të shtetit demokratik atje, duke bërë veprime të duhura për të rritur sigurinë e përgjithshme dhe garantimin e lirisë dhe të drejtave të njeriut”, përfundon komunikata.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›