E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kadilli: Kryeprokurorja spekuloi me ekspertizën e FBI-së

30/01/2012  Partia Demokratike riakuzon Ina Ramën për trazirat e 21 janarit

Bashkëpunimin mes kryeprokurores dhe Ramës e dëshmoi ky i fundit

Partia Demokratike përmes deputetit të saj Fatbardh Kadilli ka akuzuar prokuroren e përgjithshme Ina Rama për spekulim të informacionit të dhënë nga FBI-ja për ngjarjen e 21 janarit. Përmes një konference për mediet, duke iu referuar edhe shkrimeve në medie për shefen e organit të akuzës, deputeti Kadilli ka përdorur gjuhën e shefit të tij, Kryeministrit Berisha, qysh në fillim të fjalës së tij. “Mediet e shkruara dhe ato elektronike denoncuan sot serialin e mashtrimeve të prokurores së përgjithshme, me të cilat ajo faktoi edhe një herë se është thjesht ‘shoqja e bulevardit’, bashkautore për hir të mandatit të dytë në përpjekjen e Edi Ramës për të përmbysur me dhune pushtetin e dalë nga vota e lirë me 21 janar 2011”, - tha dje Kadilli. Ai vendosi paralelizmin mes dy deklaratave në kohë të ndryshme të kryeprokurores për të deklaruar se akuzat e institucionit të saj janë fabrikuar nga kreu i selisë rozë. “Prokurorja e përgjithshme akuzoi gardistët për vrasje me dashje dhe spekuloi me ekspertizën e ardhur nga FBI-ja. Sqarojmë shqiptarët se në ekspertizën e FBI-së dhe në asnjë ekspertizë tjetër, në asnjë germë dhe asnjë rresht nuk bëhet fjalë për vrasje me dashje, por për të shtëna vdekjeprurëse”, - deklaroi Kadilli.

Bashkëpunimi

Deputeti Kadilli ka risjellë në vëmendje ngjarjet e atyre ditëve të janarit të vitit të shkuar për të përsëritur akuzat për bashkëpunimin Rama-Rama. “Dua t’u rikujtoj shqiptarëve se më 22 janar, në orën 4 të mëngjesit Edi Rama, që kërkonte arrestimin e gardistëve duke i cilësuar si persona të rrezikshëm, siç shprehet kryeprokurorja publikisht dhe në akuzë, deklaroi se drejtori i përgjithshëm i Policisë i ka thënë në telefon prokurores së përgjithshme se nuk do të ekzekutojë vendimet, pasi aty ka lapsus, duke dëshmuar bashkërendimin mes tyre”, - tha ai.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›