E Shtunë, 31 Tetor 2026

Respektimi i Rregullores së Kuvendit të Shqipërisë -problematik

30/01/2012  “Mjaft” publikon raportin për monitorimin e parlamentit në dy muaj

Respektimi i detyrimeve të përcaktuara në Rregulloren e Kuvendit të Shqipërisë nën vëzhgimin e skuadrës “Unë Votoj” të “Mjaftit” rezulton problematik pas monitorimit sistematik të veprimtarisë parlamentare gjatë dy muajve: nda 1 nëntori deri më 24 dhjetor 2011. Sipas këtij raporti, janë evidentuar disa raste që konfliktojnë me disa nene të Rregullores. Gjatë këtij sesioni parlamentar rezulton të jenë miratuar në kushtet e mosrespektimit të pikës 1 dhe 2 të nenit 34 të Rregullores së Kuvendit të Shqipërisë, ku përcaktohet vlefshmëria e mbledhjeve të komisioneve të përhershme parlamentare, 2 nisma ligjore të cilat duhej të ishin shpallur të pavlefshme dhe ndaj kryetarit të komisionit që ka shkelur këtë përcaktim taksativ të Rregullores, sipas “Mjaftit” duhej të ishte dhënë masë disiplinore. Gjithashtu gjatë veprimtarisë brenda periudhës së monitorimit është vërejtur një tjetër shkelje - votimi për kolegun. Edhe pse në nenin 57 të Rregullores se Kuvendit të Shqipërisë përcaktohet karakteri vetjak i votës, si dhe mosdelegimi i saj, skuadra e monitorimit ka hasur një rast të votimit për kolegun. Një vëmendje të veçantë në këtë raportim periodik i është kushtuar edhe parimit të institucioneve të hapura, që teorikisht gjen materializim në nenin 35 i Rregullores së Kuvendit të Shqipërisë. Konkretisht, neni 35 pika 1 përcakton “Mbledhjet e komisionit, si rregull, bëhen të hapura”. Rregullorja sqaron më tej konceptin “mbledhje e hapur”, duke saktësuar se e tillë quhet “mbledhja kur media, grupet e interesit ose vizitorët janë të lejuar ta ndjekin atë”. I njëjti parim për garantimin e transparencës aplikohet edhe në rastin e seancave plenare, për të cilat Rregullorja shpreh përmes nenit 43 (pika 1) të saj “seancat plenare të Kuvendit bëhen të hapura, me përjashtim të rastit kur Kuvendi vendos ndryshe”. Parimi i qeverisjes së hapur, si dhe neni 35 dhe 43 i Rregullores së Kuvendit të Shqipërisë janë nëpërkëmbur në mënyrë të vazhdueshme menjëherë pas publikimit të raportit të parë periodik në muajin nëntor 2011, ku lëvizja “Mjaft” denoncoi falsifikimin e procesverbaleve dhe listëprezencave të komisioneve parlamentare. Konkretisht grupi monitorues është penguar disa herë radhazi të ndjek punimet parlamentare në komisionet e përhershme me justifikime, sipas opinionit tonë të pabazuara. Skuadra “Unë Votoj” në raportin e saj paraqet rastet kur deputet të grupeve të ndryshme parlamentare, në mënyrë individuale ose në grupe të vogla, kanë votuar ndryshe nga pjesa tjetër e grupit parlamentar apo koalicionit ku bëjnë pjesë. Sipas Rregullores së Kuvendit, deputetëve u njihet e drejta e shpjegimit të votës kundër, e drejtë kjo që shfrytëzohet pak ose aspak nga parlamentarët shqiptarë. Sa i takon përcaktimit të Rregullores për kuorumin e mbledhjeve të komisionit dhe vendimeve të tyre, nga monitorimi për dy muaj kemi vetëm dy raste të shkeljes së saj.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›