E Enjte, 5 Nëntor 2026

Kadilli në Kuvendin Kombëtar: “PD të ndahet nga e shkuara!”

Ish kandidati për kreun e PD Fatbardh Kadilli, bëri thirrje që PD të ndahet nga e shkuara ndërsa tha se një opozitë e korruptuar është tradhtar i qytetarit. Duke folur në Kuvendin Kombëtar të PD, zoti Kadilli i njohur si një nga kundërshtarët e kreut të PD Basha tha se “Ne kemi një detyrim të punojmë ta bëjmë PD më të madhe se vetja”.
“Qytetarët duan një parti të pastër, të ndahemi nga e shkuara, sado emocionet të na lidhin me të. Për t’u ndarë nga cdo e keqe që kemi prodhuar ne vetë. Një opozitë e korruptuar është tradhtar i qytetarit. Kush lufton për PD të pastër ka bekimin e qytetarit” tha zoti Kadilli. 
Sipas tij “Nuk është hapje ajo që ndodh me çelësat e kryetarit. Hapja është gatishmëri për të jetuar bashkë edhe kur kemi mendime konkuruese. Qytetarët do na besojmë nëse jemi të pastër e të bashkuar, jemi 100% të ndryshëm nga sundimtarët e sotëm” tha zoti Kadilli. 
“Kuvendi nuk është një ngjarje e shpeshtë ndaj delegatët ta shohin si një moment ku hapim proceset politike. Le të kuvendojmë bashkë me sytë nga e ardhmja. T’iu kthejmë qytetarëve institucionet, kushtetutë të re, forcmimin e sistemit të drejtësisë. Të shpallim hapur se sistemi drejtësisë është aleati më i mirë për ne si opozitës për të luftuar krimin e korrupsionin. Duhet të dëshmojmë se jemi partnerët e parë të perëndimit në këtë tokë. Të punojmë bashkë për një parti më të madhe se kryetari atëherë do të jemi forcë e parë të shohim në sy qytetarin e mos flasim për 600 mijë vota por mbi 1 mln vota” ishin disa nga deklarimet e zotit Kadilli.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›