E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kaja nanën, thonë në Kosovë

20-02-2013 / Nga Rexhep Shahu

Arkitekti i pavarësisë së Kosovës, babai i pavarësisë së saj, krijuesi e sendërtuesi i saj Ibrahim Rugova, nuk ia ka ditë kurrë emrin dhe nuk e ka njoftë kurrë Jakup Krasniqin për në sofër të parë të Kosovës (ani se e ka pasë deputet të partisë së tij, LDK, mediokër se edhe ata duhen). Vetëm për shkak të inferioritetit të Kupes, pasi Rugova si zoti, nuk i shtinte mendtë me të, se Kupja nuk hynte në axhendën e tij ku hynin intelektualët e mirëfilltë të Kosovës.
Kupja për shkak të atij inferioriteti që vazhdon t’ia trusë kryet, dhe ta shtjerë në ujë, nuk ia zu në goje emrin presidentit Rugova në fjalën e tij përshëndetëse në Kuvend në 5 vjetorin e pavarësisë së Kosovës me 17 shkurt 2013. Ia la vetes Kupja që ka fillue me e matë veten me hijen e sabahit.
Kupja përshëndeti ushtarin e Ibrahim Rugovës, heroin e madh të kombit shqiptar Adem Jasharin, i cili, më shumë se kushdo shqiptar tjetër në historinë kombëtare, u tregoi të gjithëve se si vdiset për atdhe, u tregoi të gjithëve se duhet me ditë me vdekë hijshem për atdhe, përshëndeti për servilizëm të shëmtuar e për kërcënim të trashë ndaj Hashim Thaçit vëllain e Adem Jasharit, që shpreson ta përdorë Kupja për karierën e tij dhe kundër Thaçit, dhe nuk përshendeti Ibrahim Rugovën i cili pati frymëzuar deri edhe për vepra sublime edhe Adem Jasharin. Kaja nanën, thonë në Kosovë.
Si për inat të Kupes, kryeministri Thaçi e përshëndeti presidentin Ibrahim Rugova. Parlamenti shpërtheu në duartrokitje si për Rugovën si për Adem Jasharin. Thaçi ia la vetes. Luaje mace kryet e buallit!
Rugova nuk ka nevojë kurrë për përshëndetjen e Kupes liliput, por Kupja ka nevojë për me u falë para Rugovës, me dalë vetëm një herë prej hijes së Rugovës, se Rugova ia ka zënë krejt diellin Kupes.
Hija e Rugoves ishte kudo në sallë. Të gjithë e shihnin duke u takuar me Klintonin i cili thoshte: Ne e fituam luftën, ju shqiptaret fitojeni paqen. Hija e Xhorxh Bushit ishte në sallë. Të gjithë e dëgjonin teksa thoshte: MJAFT MË! KOSOVA ËSHTË E PAVARUR! dhe e shihnin tek nënshkruante pavarësinë e saj.
Edhe Jozefina Topalli ia la vetes që e falenderoi presidentin Rugova dhe edhe ajo e zvogëloi Kupen.
Në shfaqjen që u dha në parlamentin e Kosovës, sërish nga fjalimet e dhëna u shfaq fodulleku dhe mosmirënjohja. Sërish u bënë gjokset gropë duke përmendur UÇK e pas disa pauzash e fjalëve pa lidhje sikur u kishte ra për thonjsh nga goja, përmendnin Amerikën e NATON.
Por historia ka shkruar tashmë se çlirimtarët më të mëdhenj, më trima, më të parë që meritojnë më shumë mirënjohje janë Amerika dhe NATOJA, Klinton, Bler, Solana, Klark etj, etj. Janë pilotët jo shqiptarë, shqiponja të qiellit që vallëzuan në qiejt tanë për të dëbuar Serbinë prej Kosove në pranverë 1999, ata që bënë luftën më të rrallë në historinë njerzore, luftë në ajër, për të shpëtuar dy milionë shqiptarë, dy milionë shqiptarë, nga shfarosja.
Sa për ushtarët e UÇK, për kallashat e blerë në Shqipëri a gjetke, për trimërinë që kanë pasë ndërmend me tregue, për ndihmën në ëndërr (që s’u dha kurrë edhe pse morën dekorata e marka plot si shpërblim për luftë të pabërë), qe do të jepte Shqipëria me kapterrat e oficerat rezervistë biznesmenë të saj (bënë biznes me luftën për Kosovën), që pa marrë dojçmarkat nuk e bënin këmbën tutje (për në vendstërvitjen në Shqipëri jo kurrë për në front të luftës), por bënin luftë me mend, sot e gjithë ditën serbët do të ishin në Kosovë dhe shumë burra e gra të Kosovës do të ishin nëpër burgje ose në varre.
Por Kupja e kupet, me kapak e pa kapak, Thaçi e thaçat, tregohen fodullë, mosmirënjohës dhe cënojnë lavdinë e madhështinë e heronjve të Kosovës duke mos artikuluar mirënjohjen e parë për Ibrahim Rugovën që e mbolli dhe rriti në ndërgjegjen e çdo shqiptari Kosovën e pavarur, për ushtarët e huaj që kanë luftuar me shumë se shqiptarët për ta çliruar Kosovën, për dhjetëra mijëra të tjerë të Nato-s që e mbrojtën Kosovën e lirë.
Çlirimtarët e parë janë Amerika e Nato, ndihmës janë shqiptarët ose të dytët në radhë. Nese artikulohet kështu, është më madhështore. Po të mos ishte Amerika e Natoja, po të mos ishin heronjtë shqiptarë që dhanë jetën, ata që nuk e lëshuan kurrë Kosovën dhe dhanë jetën për të duke e mbrojtë Kosovën, që erdhën nga perendimi dhe u vranë në luftë duke luftuar me serbët e jo duke luftuar për me ia marrë pushtetin Ibrahim Rugovës, ata që mbrojtën pragjet e shtëpive të tyre, ata që mbetën të plagosur në luftë dhe vuajnë sot pasojat dramatike të saj me mosvëmendjen e Thaçit e Kupes, Hashimi do të ishte në shëtitje në Perëndim, Kupja do të ishte duke dhënë marksizëm – leninizëm, apo histori  të bashkim vëllazërimit në serbisht në ndonjë katund të Kosovës, nga ku e pati marrë Ibrahim Rugova që ta bënte dikush nga kërkush.
Ata që më thonë se nga gjaku që derdhëm erdhi liria, ju them kemi derdhë gjak pak e lot shumë, lot burrash shumë, se gjak kanë derdhë mbi 100 vjet shqiptarët, sa ka uje Drini por liria nuk erdhi. Dhe ata që ishin në UÇK apo hynë në UÇK pas luftës me shumicë, nuk ishin më shumë trima se të parët e tyre që kanë dhënë jetën për Kosovën 100 vjet.
I kam pa me sytë e mi edhe trimat e luftës edhe të pasluftës, edhe tigrat e paqes edhe lepujt e luftës.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›