Kaka: Mesi do të jetë "Lojtari i Vitit"
Ylli i Realit të Madridit, Kaka, ka deklaruar me bindje se Lionel Mesi do të kurorëzohet "Lojtari më i Mirë në Botë" për vitin 2009. Sipas brazilianit, sulmuesi argjentinas do të shpallet fitues i çmimit të FIFA-s pas sukseseve të arritura gjatë sezonit të kaluar me Barcelonën, ku fitoi Ligën e Kampioneve, La Ligan dhe Kupën e Mbretit. Në dy edicionet e fundit, Mesi është klasifikuar i dyti, pas Kakasë në vitin 2007 dhe pas Kristiano Ronaldos në vitin 2008. "Mendoj se çmimi ‘Lojtari i Vitit‘ do t‘i jepet Mesit, sepse ai ka fituar gjithçka me Barcelonën gjatë sezonit të kaluar", deklaroi Kaka për "Marca". "Për të fituar një çmim kaq prestigjioz, duhet të kesh kaluar një vit të mirë me skuadrën dhe me ekipin kombëtar. Besoj se vitin e ardhshëm, fituesi do të përzgjidhet mes lojtarëve të cilët do të paraqiten më mirë në Botërorin 2010". Fituesi i trofeut të FIFA-s do të bëhet publik më 21 dhjetor.