Kaka i sjell fitoren Milanit
Superylli brazilian Kaka ka shënuar golin e vetëm në fitoren minimale, 1-0, të Milanit ndaj Catanias. Goli i mesfushorit brazilian erdhi në pjesën e dytë të lojës, pas një pjese të parë pa gola. Pas një harkimi në zonë, Kaka gjeti topin me kokë që, mbase pas një prekje të Shevchenkos, përfundoi në rrjetë, pas 65 minutash lojë në San Siro. Nga ndeshjet tjera në Serie A, Fiorentina ka shënuar fitore bindëse, 4-1, në fushë të Torinos. Violët kaluan në epërsi mjaft herët në ndeshje, kur pas 3 minutash lojë sulmuesi rumun Adrian Mutu gjeti rrjetën. Dy minuta para fundit të pjesës së parë të ndeshjes Gilardino dyfishoi rezultatin, ndërsa Kuzmanovic trefishoi 15 minuta para fundit të pjesës së dytë. Dy minuta më pas vendasit ngushtuan rezultatin ne 3-1 me anë të penaltisë së shndërruar në gol nga Rosina (77'), por Gilardino shënoi golin e tij të dytë gjashtë minuta para fundit për të vulosur gjithçka.