E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kakavijë, pesë orë për të hyrë në Shqipëri

Takimi më i fundit i policive greke dhe shqiptare të mbajtur një ditë më parë në Kakavijë dhe që ishte i fokusuar pikërisht në shmangien e radhëve të gjata të pritjes së emigrantëve në kufi, ka rezultuar i pafrytshëm. Në orët e para të ditës së djeshme, sipas emigrantëve, radha e pritjes në territorin grek të kufirit në Kakavijë ka arritur deri në dy kilometra dhe për të kaluar do të duheshin më shumë se pesë orë pritje. Rreth orës 10 të paradites, situata u qetësua dhe lëvizja në të dyja anët ishte më e lirë. Mësohet se gjatë takimit dypalësh shqiptaro-grek të autoriteteve policore merrnin pjesë edhe përfaqësues të stafeve të të dyja doganave, shqiptare dhe greke të Kakavijës. Në emër të palës shqiptare, drejtori rajonal i Kufirit dhe Migracionit, Vasil Valera, ka shprehur angazhimin e efektivave që ai drejton jo vetëm për të shmangur radhët e pritjes së emigrantëve, por edhe për goditjen e elementëve të inkriminuar, të cilët mund të shfrytëzojnë fluksin e madh të lëvizjes në kufi për të realizuar aktivitetin e tyre, për sa u takon trafiqeve të paligjshme. Ndërkohë, edhe drejtori i Policisë së Epirit, Mario Guruli, ka konfirmuar angazhimin e efektivave të policisë greke për shmangien e radhëve të emigrantëve në kufi. Sipas statistikave të publikuara gjatë këtij takimi prej datës 20 qershor 2009, ditë kur ka hyrë në fuqi urdhëresa e Ministrisë së Brendshme të Greqisë për lëvizjen e emigrantëve nga Greqia në drejtim të Shqipërisë kanë udhëtuar rreth 213 mijë persona, ndërkohë që ky numër pritet të rritet ndjeshëm edhe gjatë ditëve të ardhshme.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›