E Shtunë, 31 Tetor 2026

Patozi-Pollo, dueli për postin e nënkryetarit të PD-së

Saga e ndryshimeve në parti pas zgjedhjeve prek edhe kampin demokrat. Statuti i PD-së specifikon në mënyrë të qartë se një nga nënkryetarët e partisë do të jetë njëkohësisht edhe kryetar i grupit parlamentar, pa pasur mundësinë për të marrë një post qeveritar në muajin shtator. Ndërsa për nënkryetarin tjetër është lënë e hapur mundësia për t‘u përfaqësuar në qeveri. Rasti i fundit i hap rrugën e lirë nënkryetares Jozefina Topalli drejt karriges së shefes së diplomacisë shqiptare. Krahas pozicioneve qeveritare, një tjetër vend i lakmuar në PD është ai i Astrit Patozit. Ish-kryetari i PDR-së, aktualisht zëvendëskryeministër, Genc Pollo, është një nga emrat më të lakuar për të zëvendësuar Patozin në detyrën e kryetarit të grupit parlamentar të Partisë Demokratike. Afrimi i LSI-së në kampin demokrat dhe oferta për postin e numrit dy të qeverisë, e lë Genc Pollon tashmë jo vetëm pa portofol ministror, por edhe jashtë kabinetit qeveritar. Tanimë në rolin e deputetit të PD-së, Tritan Shehu, kërkon që kampi blu të bëjë një riformatim brenda strukturës së saj në muajin shtator.

Sipas Shehut, këto zhvillime do të vijnë menjëherë pas formimit të qeverisë së re. "Strukturat e PD-së, pas formimit të qeverisë së re, do të merren me problemet në strukturat e PD-së, ashtu sikurse është përshkruar në statutin tonë. Besoj se brenda këtij viti ky proces do të përfundojë, sepse ka termat kohorë të tij që duhen respektuar", thotë Tritan Shehu. Nga zgjedhjet e 28 qershorit, Astrit Patozi, si kryesues i Qarkut të Vlorës, arriti të sjellë në Kuvend vetëm katër mandate për Partinë Demokratike nga 12 që ishin gjithsej. Ndërsa Genc Pollo, përgjegjës për Qarkun e Beratit solli në Parlament 3 deputetë nga 8 mandate që ishin gjithsej në dispozicion. Burime pranë PD-së sqarojnë se ish-kryetari i PDR-së, Genc Pollo, po bën përpjekje për t‘u ulur sërish pas kaq shumë vitesh në karrigen e nënkryetarit të PD-së. E paqartë është situata për rolin e ardhshëm të Astrit Patozit në Partinë Demokratike dhe në pikëpyetje të madhe qëndron kapërcimi i tij nga nënkryetari i PD-së drejt një portofoli ministror.

Në rast se nënkryetarja Topalli merr postin e ministrit të Jashtëm, një tjetër opsion i hapur brenda PD-së është që Lulzim Basha të drejtojë grupin parlamentar demokrat në Kuvend përballë një opozite, e cila e lodhur nga katër vitet larg pushtetit dhe e fortë me 65 kartonët në Parlament, do t‘ia bëjë ditët të vështira mazhorancës. Por ambicia e Bashës për të drejtuar Ministrinë e Brendshme dhe "frika" e Topallit për të lënë njeriun që përflitet si pasardhës i Berishës shumë afër drejtimit të PD-së pritet që të favorizojë më shumë Genc Pollon si nënkryetarin e ardhshëm të Partisë Demokratike. Statuti i PD-së përcakton se Këshilli Kombëtar ka të drejtën e zgjedhjes së dy nënkryetarëve të partisë. Në pikën 3 të nenit 47, në statut specifikohet se kryetari i grupit parlamentar bëhet automatikisht edhe nënkryetar partie, ndërsa nënkryetari tjetër është i deleguar i kryetarit. Historiku i PD-së ka treguar se nënkryetarët e partisë kanë qëndruar larg përfaqësimit në qeveri, por këtë herë, nënkryetarja Topalli ndodhet më afër se kurrë ambicies së saj për të drejtuar Ministrinë e Jashtme në katër vitet e ardhshme kur Shqipëria do të kërkojë statusin e vendit kandidat për në Bashkimin Europian dhe integrimin e plotë të saj.

Statuti i PD-së

Nënkryetarët e Partisë

Neni 47

1- PDSH ka dy nënkryetarë, të cilët zgjidhen sipas përcaktimeve të nenit 41 të këtij statuti.

2- Në mungesë të zgjatur të kryetarit dhe me autorizim të tij, njeri prej tyre zëvendëson kryetarin. Në mungesë të këtij autorizimi (dorëheqje, etj.), sekretari i përgjithshëm mbledh Këshillin Kombëtar, i cili komandon nënkryetarin që do të drejtojë partinë deri në vendimin përfundimtar të Kuvendit Kombëtar.

3- Kryetari i grupit parlamentar është njëri prej tyre, ndërsa nënkryetari tjetër është i deleguari i kryetarit.

Sekretari i përgjithshëm

Neni 48

Sekretari i përgjithshëm organizon funksionimin e përditshëm të partisë dhe përgjigjet për organizimin e saj. Ai paraqet çdo vit raportin e veprimtarive të kryesisë qendrore para Këshillit Kombëtar. Ai ndihmohet në punën e tij nga sekretarët funksionalë.

Sekretari i përgjithshëm zgjidhet çdo katër vjet në përputhje me nenin 41 të statutit.

Zëvendësimi i Ngjelës dhe Mustafajt

Odiseja e ndryshimeve në PD

Ndryshimet në strukturën e PD-së ishin paralajmëruar përpara zgjedhjeve të përgjithshme të 28 qershorit. Gara për sekretarin e përgjithshëm të PD-së mes Arben Imamit dhe Ridvan Bodes, e cila ngeli një dosje e hapur në Partinë Demokratike, nuk ka ende marrë fund. Të vetmet ndryshime që u bënë përpara zgjedhjeve në strukturën e brendshme të PD-së ishin zëvendësimi i Besnik Mustafajt me Gerti Bogdanin, i cili, me vendim të kryetarit të PD-së, u emërua si sekretar i përgjithshëm i marrëdhënieve me jashtë. Një tjetër lëvizje në kampin blu ishte plotësimi i vendit të ngelur bosh prej vitesh në Partinë Demokratike. Dy muaj përpara zgjedhjeve, Kryesia e PD-së miratoi zëvendësimin e postit të Spartak Ngjelës në parti. Ferdinand Xhaferri, i cili u vendos i pari në listën e PD-së në Durrës, mori postin e sekretarit të marrëdhënieve me publikun. Këto ishin ndryshimet e vetme, të cilat do të marrin një tjetër formë pas ndërtimit të kabinetit të ri, ku demokratët, të cilët nuk do të mund të hyjnë dot në qeveri, do të kenë luksin për të kërkuar poste të rëndësishme në parti, tashmë që Partia demokratike ka numra të brishtë në Parlamentin e ri.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›