E Diel, 1 Nëntor 2026

Plagoset në pritë me armë zjarri motoçiklisti

Një 23-vjeçar ka mbetur i plagosur në një pritë të ngritur mbrëmë rreth orës 22:30 në periferi të qytetit të Shkodrës, në vendin e quajtur "udhëkryq", në afërsi të shkollës "Salo Halili". Personi i plagosur, Besmir Hasani, i cili po udhëtonte me një motoçikletë me targë Sh999A është qëlluar me armë zjarri, por për fat ka marrë vetëm një plumb në këmbë. I dëmtuari është dërguar me urgjencë në Spitalin Rajonal të Shkodrës, ku pas ndërhyrjes kirurgjikale ka kaluar çdo rrezik për jetën. Pas ngjarjes, forca të shumta policie kanë mbërritur në vendin e atentatit dhe nga hetimet e bëra kanë arritur shumë shpejt të identifikojnë autorët e atentatit, që sipas policisë janë shtetasit Dritan Vreto, 27 vjeç dhe Zamir Anamali, 32 vjeç, banues të lagjes "Ahmet Haxhia" në qytetin e Shkodrës. Sipas policisë, shkak i kësaj ngjarjeje ka qenë një grindje që ka pasur i dëmtuari me një të njohur të shtetasit Dritan Vreto dhe ky i fundit, në shenjë hakmarrjeje e ka qëlluar Besmir Hasanin me armë. Policia është vënë në ndjekje të autorëve të ngjarjes, duke ushtruar kontrolle në banesat e tyre dhe të të afërmve, si dhe ka ngritur disa postblloqe të lëvizshme në hyrjet dhe daljet e qytetit. Por deri dje në mbrëmje policia nuk ka rënë në gjurmët e autorëve të atentatit me armë zjarri.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›