E Diel, 1 Nëntor 2026

Kakavijë, tentoi të kalonte ilegalisht në Greqi 21 vjeçcaren, arrestohet trafikanti

Arrestohet pasi u zbulua se po tentonte të kalonte ilegalisht një 21 vjeçare drejt Greqisë. Burimet zyrtare policore kanë bërë të ditur për gazetën se gjatë orëve të vona të mbrëmjes së djeshme specialistët e Sektorit të  Luftës Kundër Krimit të Organizuar në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër, kanë arrestuar në flagrancë shtetasin Brahim Trakalaci 49 vjec nga Fieri. Prangosja e tij ka ardhur pasi në orët e mbasdites së të enjtes, tentoi të kalonte për në Greqi një grua 21 vjeçare të cilën e kishte fshehur në kabinën e kamionit me të cilën udhëtonte me targa FR 8414 C. Agjentët e Sektorit të Luftës Kundër Krimit të Organizuar në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër të cilët kryejnë shërbim në Pikën e Kalimit Kufitar të Kakavijës, zbuluan praninë e gruas pas një kontrolli të imtësishëm që kryen në automjetin tip Benz Mercedez para se të merrte rrugën drejt Athinës. Kontrolli imtësishëm ka ardhur fill pasi vulosi pasaportën 49 vjeçari tek kontrollorët shqiptarë të Kakavijës. Pasi është kapur, gruaja emri i të cilës nuk është emetuar nga ana e Policisë së Gjirokastrës, pati deklaruar se kërkonte të kalonte në Greqi pasi kërkonte të shkonte tek i shoqi në Athinë. Madje për këtë shërbim Trakalaci, do të merrte nga burri i 21 vjeçares në momentin e dorëzimit tek ai, 2000 euro. Shoferi i kamionit pasi është marrë në pyetje nga ana e autoriteteve policore, u mësua se punon tek firma Indi 2000 sh.p.k. me aktivitet transport mallrash të ndryshme. Materialet për këtë çështje i kaluan Prokurorisë së Gjirokastrës për veprime të mëtejshme për veprën penale të dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit kundrejt fitimit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›