E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kakofonia për Kushtetutën

Gjatë gjithë periudhës prej dy dekadash të tranzicionit të vështirë në Shqipëri, asnjëherë nuk ka munguar thirrja për unitet të faktorit politik. Por, kjo thirrje ka rënë në veshë të shurdhër, sepse më së pari, u ka munguar vullneti i mjaftueshëm forcave protagoniste kryesore për ta shndërruar nevojën e pareshtur të bashkëpunimit ndërmjet tyre në një realitet të mirëfilltë. Burim, edhe i këtij diversiteti papajtueshmërie konsiderohet fakti që proceset demokratike të zhvillimit janë karakterizuar nga ritme relativisht të ngadalta, aq sa në pothuajse për të gjithë treguesit e vlerësuar prej organizmave ndërkombëtarë, Shqipëria shënohet tani e fundit në hartën e Ballkanit Perëndimor. Kësaj prapambetjeje i dedikohet edhe lënia e vendit tonë jashtë dyerve të Europës, megjithëse asistenca, inkurajimi dhe ndihma e shteteve aleate të fuqishme nuk kanë munguar asnjëherë. Në këtë kontekst mund të konsiderohet edhe takimi i fundit i ambasadorit të SHBA-së me ministrin shqiptar të Punëve të Jashtme, ku u theksua përsëritshëm domosdoshmëria e krijimit të një pakti kombëtar për integrimin, çka nuk mund të konceptohet pa u arritur paraprakisht bashkimi në unison i të gjithë komponentëve politikë, për të bërë të mundur realizimin e këtij programi të së sotmes dhe të së ardhmes së Shqipërisë.
Mirëpo, sado optimiste dhe euforike të jenë në këtë drejtim deklaratat e qeveritarëve tanë (dhe si të tilla ata s'kanë lënë rast pa i prodhuar kurdoherë me bollëk të veleritshëm), vështirësitë ekzistente e kanë bazën pikërisht tek antagonizmat e skajshme, në veçanti ndërmjet dy partive më të mëdha të ngjyrave pikante në spektrin politik. Tregues të qartë të një atmosfere të tillë përbën edhe debati i zjarrtë, madje disi i përçartur dhe i shthurur, rreth amendimeve të nevojshme e të mundshme të Kushtetutës. Ky debat i pasqyruar gjerësisht edhe në media, vlagën e mori ende pa përfunduar plotësisht masakra e fundit elektorale për mandatin e kreut të Bashkisë së Tiranës. Akoma më tepër, kur Shefi i opozitës pranoi publikisht, se ndryshimet që iu bënë Ligjit Themelor më 21 prill 2008 ishin të nxituara, çka linte të kuptohej që është koha dhe vendi për të rishikuar e përmirësuar këtë dokument bazik për funksionimin e shtetit modern dhe harmonizimin e marrëdhënieve të bashkëjetesës demokratike në shoqërinë tonë.
Gjatë këtij debati, që gjeti dy muajt më të nxehtë të vitit për t'u kërleshur, dikush nga e djathta ngiti zërin për të mos u bërë asnjë ndryshim në Kushtetutë. Një tjetër në krah të tij e plotësoi, duke u shprehur që ndonjë politikan e ka hallin te zgjedhja e Presidentit të ri të Republikës. Ndërsa, Kryetari i një Partie të koalicionit në pushtet deklaronte fillimisht që Shefi i opozitës kërkon amendime kushtetuese që t'i shfrytëzojë këto për zgjedhjen e tij kryeministër, dhe pastaj që këto amendime mund të bëheshin me maturi dhe pjekuri. Pakëz më vonë, një nga e majta del dhe hedh gurin e fundit, duke frikësuar kundërshtarët, se ai dhe kolegët e vet do të kërkonin bërjen e një referendumi për ndryshimet. Kurse, një koleg i krahut të tij gjen çelësin e "suksesit", duke propozuar që në çështjen e zgjedhjes së kreut të shtetit të mbështetemi te precedenti i Kosovës. Ndërkohë që, një ish opozitar, i cili qysh prej dy vjetësh ka gjetur strehë në zyrën e Kryeministrit aktual, si "argument" të kontributit në këtë lëmë shpreh bindjen e vet që Presidentin ka të drejtë ta zgjedhë maxhoranca, e vetme. Aty - këtu dëgjohet dikush të thotë që Presidencës i duhet një figurë konsensuale me besueshmëri politike, për të mos u bërë shënjestër, por zgjidhjet që propozon i përgjigjen konjunkturave politike që ai gjithmonë u sillet rrotull. Ose, Kushtetuta nuk mund të ndryshojë, sa herë që palët kanë interesave për ta bërë një gjë të tillë, Më së fundmi, një mbështetës i koalicionit në pushtet preferon të mpleksë në këtë mes edhe ndonjë zbulim me karakter sensual të kohës, kur i pohon shtypit që Kushtetuta nuk është si rrobat e banjos.
Ja pra, çfarë është ky debat, i pasuar nga pikëpyetje dhe pikëçuditje të shumta. Një kakofoni e tërë, që mbase do t'i kishte hyrë në punë Monteskjesë, për ilustrime të mëtejshme në shtjellimin e tezave të tij mbi determinizmin klimatik apo relativizmin ligjor, tek shkruante dikur që "nevojat e ndryshme në klima të ndryshme kanë ndikuar për krijimin e mënyrave të ndryshme të jetesës; mënyrat e ndryshme të jetesës kanë ndikuar në krijimin e llojeve të ndryshme të ligjeve". Nejse, në tërë këtë zallamahi ka diçka që mund të lokalizohet dhe të veçohet, të mbahet ndër mend. Të gjithë ata që kanë marrë pjesë individualisht me plot pasion në këtë debat përpara fillimit të sesionit parlamentar, përveç që kanë marrë dhe marrin pjesë aktive në harkun 20 vjeçar të politikës shqiptare, nuk u janë mbyllur ndonjëherë dyert e Kuvendit. Madje, disa prej tyre, që kanë qenë apo edhe janë deputetë kanë pasur rastin të jenë pjesë e subjekteve për të iniciuar dhe miratuar projekt-amendamente kushtetuese. Sikurse, as u ka munguar ndonjëherë literatura apo përvoja e vendeve të tjera në këtë fushë, e cila paraqet apo fikson si një nga parimet themelore të parlamentarizmit mundësinë e pakontestueshme të Parlamentit të një legjislature për të shfuqizuar ose ndryshuar aktet (përfshirë edhe ato kushtetuese) të legjislaturave të mëparshme. Kështu që, në vend të replikohet me secilin nga këta zëra, ndoshta është më mirë t'i jepet paraprakisht përgjigje konkrete pyetjes: Proceduralisht, a mund t'i bëhen amendime Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë?
Në të vërtet, Ligji ynë Themelor kategorizohet në kushtetutat e ngurta. Në këtë kuptim, sipas doktrinës së sotme, nuk mund t'i nënshtrohen asnjë ndryshimi që do të prekte thelbin e tyre dispozitat që shprehin parimet kryesore të ndërtimit të shtetit, si edhe ato që garantojnë të drejtat dhe liritë themelore të shtetasve. Por, në Pjesën e Shtatëmbëdhjetë të tij ('Rishikimi i Kushtetutës') parashikohet mundësia për amendamente, ose ndryshime të pjesshme, si edhe mënyrat për t'i realizuar ato. Për shembull, sipas nenit 177/1 nisma për rishikimin e Kushtetutës mund të ndërmerret nga jo më pak se një e pesta e të gjithë anëtarëve të Kuvendit. Porse, në paragrafin 3 të këtij neni kërkohet që projektligji për ndryshim të një ose disa dispozitave kushtetuese miratohet nga jo më pak sesa dy të tretat e të gjithë deputetëve. Gjithashtu, me këtë kuorum të cilësuar, pra me jo më pak sesa dy të tretat e votave të të gjithë anëtarëve të Kuvendit, ky mund të vendosë që projekt-amendamentet kushtetuese të votohen me referendum. Ndërsa, amendamenti i miratuar, mund t'i nënshtrohet referendumit, kur këtë e kërkon qoftë edhe vetëm një e pesta e të gjithë anëtarëve të Kuvendit. Në të dyja rastet, roli i Presidentit mbetet inaktiv: ai nuk ka të drejtë që ta kthejë për rishqyrtim ligjin e miratuar nga Kuvendi me votat e dy të tretave të të gjithë deputetëve, kur dihet që për të shfuqizuar një dekret presidencial janë të mjaftueshme vetëm votat e shumicës së deputetëve.
Sidoqoftë, mundësitë apo pengesat e përcaktuara, që shoqërojnë procedurën e ndryshimeve të pjesshme kushtetuese, nuk i kanë zmbrapsur deputetët tanë për t'i bërë dy herë rresht disa ndryshime Ligjit Themelor të vendit: më 13 janar të vitit 2007 dhe rreth 15 muaj pas kësaj date. Për të parën herë amendimet e miratuara - njëri i arsyeshëm, për zgjatjen e mandatit të organeve të qeverisjes vendore; tjetri qesharak, për shtimin e numrit të anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve - u miratuan njëzëri nga Kuvendi, pas krijimit të një situate përgatitore. Për të dytën herë, ndryshimet e miratuara jo vetëm që përfshinin një gamë më të gjerë, por edhe u karakterizuan nga nxitimi i rrufeshëm dhe i papërligjur, duke zvogëluar peshën reale të ndonjë organi kushtetues (konkretisht, pozitën e Presidentit të Republikës), si edhe duke ndryshuar raportin midis Kuvendit dhe pushtetit ekzekutiv. Pra, kur brenda një legjislature aplikohen më se një herë ndryshime, që madje janë pasuar prej vërejtjesh të caktuara si për procedurën e ndjekur, ashtu edhe për përmbajtjen e tyre, nuk mund të pajtohesh me refuzimet kategorike për të bërë në legjislaturën aktuale disa amendime të tjera, nevojën e të cilave nuk e dikton thjesht një nga palët kryesore parlamentare për interesa partitokratike apo individuale të liderit të vet, por më së shumti përvoja e fundit dy vjeçare e një krize të thellë dhe komplekse, që ka ndikuar për ta lënë vendin në gjendjen e sotme të trishtuar.
Që këtej shtrohet një tjetër pyetje: Deri ku mund të shtrihen ndryshimet e mundshme në një kohë sa më të afërt? Përgjigjja konkrete e saj do të mbetej e mangët po të përqendrohej vetëm te përmirësimi i mënyrës së zgjedhjes së Presidentit të Republikës, për t'iu referuar plotësisht përcaktimit kushtetues, sipas të cilit, Ai është Kryetar i Shtetit dhe përfaqëson unitetin e popullit. Ka edhe një sërë çështjesh të tjera themelore për funksionimin e shtetit të së drejtës (shtjellimi i të cilave nuk është objekt i këtyre radhëve), që kërkojnë larg deklaratave marroke dhe predispozitave konjunkturale diskutime të thelluara profesionale, për të mbërritur deri te hartimi i projekt-amendamenteve për shfuqizimin dhe plotësimin e një sërë dispozitash kushtetuese. Por, këto diskutime nuk mund të jenë plotësisht të frytshme nëse lihen të veçuara dhe të shkëputura, pa u fokusuar te veprimtaria e kualifikuar e një Komisioni shtetëror, që do ta kishte vendin më të përshtatshëm pranë Kuvendit të Shqipërisë, me funksionet e një organi konsultativ dhe me përbërje të juristëve të shquar, të cilët ndonëse mund t'i ketë "harruar" pushteti politik, pa dyshim që në ndihmë do t'i thërriste rëndësia e madhe dhe domosdoshmëria imediate e një reforme konstitucionale. Miratimi i një pakete të tillë, sigurisht që nuk përjashton, përkundrazi parashikon arritjen e një akordi substancial të klasës sonë politike. Sepse, tek e fundit, ashtu siç është shprehur konstitucionalisti Guy Carcasonne, të cilit i referohet Luan Omari në librin e tij të fundit "Ndarja e pushteteve dhe pavarësia e institucioneve kushtetuese": "Një kushtetutë e mirë nuk mjafton për të siguruar lumturinë e një vendi. Një kushtetutë e keqe, mund të mjaftojë për të sjellë fatkeqësinë e tij".

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›