Kakome, shtatë banorë ndalohen nga policia
SARANDË – Policia shoqëroi dje shtatë banorëtë komunës Nivicë, të cilët akuzohen si përgjegjës për dëmtimin e materialeve të automjeteve të firmës “Riviera”. Prita e ngritur nga banorët në Grykën e Prodanit për të mos lejuar nisjen e punimeve në Kakome, nuk kaloi pa ndërhyrjen e policisë. Sipas këtyre të fundit, të shtunën makinat e firmës së ndërtimit janë zhvendosur me urdhër tëVladimir Kumit, kryetarit të komunës, drejt mjedisit të zyrave të komunës, me pretendimin për të siguruar ruajtjen e tyre në një vend të sigurt. Ndërkaq, përfaqësuesit e “Rivierës” thanë se zhvendosja e automjeteve është bërë për të justifikuar dëmtimin e materialeve që ndodheshin në to dhe si rrjedhojë bënë një denoncim në polici. Pas denoncimit, uniformat blu të Vlorës bënë të mundur kapjen e autorëve të kallëzuar si përgjegjës për veprimin. Pasi u morën në pyetje dhe u njohën me pretendimin e firmës ndërtuese, të shtatë të ndaluarit, kryesisht të rinj, në mesditën e së dielës u lanë të lirë. Ndalimi i tyre u bë shkak që familjarët të grumbulloheshin dje paradite tek dyert e komisariatit me kërkesën për lirimin. Protesta nuk zgjati dhe nuk u përshkallëzua me veprime të dhunshme, pasi pas plotësimit të dokumentacionit të nevojshëm dhe procedurave ligjore, të ndaluarit u lanë të lirë. Lidhur me pretendimin e disave prej tyre për keqtrajtim nga policia dhe përdorim force, komisari Vullnet Topalli tha: “Nëse kanë pretendime, të shkojnë në prokurori e të bëjnë padi për këdo që ka tejkaluar kompetencat”. Në mesditë, banorët, së bashku me të ndaluarit e përkohshëm, u larguan dhe u ribashkuan me bashkëfshatarët e tyre në kthesën e Kakomesëpër të ruajtur moskalimin e makinerive të firmës ndërtuese për në Kakome. Prita në Grykën e Prodanit vazhdon si çdo natë.