Tropojë, vritet 3 vjet pas ngujimit ish-drejtori i KESH-it
Tropojë - Krimi me motiv gjakmarrjen ka goditur sërish në Tropojë, ku viktimë ka mbetur 54-vjeçari Sadri Metaliaj, ish-drejtor i KESH-it në Bajram Curri. Ngjarja ndodhi rreth orës 12:00 të së dielës, në bulevardin kryesor të qytetit, para kinemasë. Dy persona ende të paidentifikuar nga policia hapën zjarr me armë kallashnikov nga një autoveturë ndaj shtetasit Sadri Metaliaj, i cili po qëndronte në trotuar para ish-kinemasë. Dy karikatorë të derdhur nga kallashnikovëte kanë lënë thuajse të vdekur Metaliajn, ndërsa dërgimi i tij në spital ishte veçse një “formalitet”. Plumbat e shumtë derdhur në drejtim të trupit të viktimës, që ishte edhe objektivi i atentatorëve, plagosi edhe një shitëse të një dyqani mishi në shëtitoren kryesore të qytetit. Shtetësja Rabie Mala u plagos rëndë në kokë nga njëri prej plumbave të shkrepur në bulevardin kryesor. Pas vrasjes, autorët u larguan me shpejtësi nga vendngjarja. Hetimet e para treguan se Metaliaj sapo kishte dalë nga ngujimi, ku kishte qëndruar i mbyllur për tre vjet.
Hetimi
Menjëherë në vendngjarje shkuan forca të shumta të policisë, që nisën hetimin për krimin e kryer. Në të njëjtën kohë ato u vunë në ndjekje të autorëve të krimit. E plagosura Rabie Mala u dërgua me helikopter në spitalin e Tiranës. Mjekët bënë të ditur se plumbi që e goditi atë në kokë, nuk i ka dëmtuar trurin, kështu që ka shpresë për jetën e saj. Si shkak për vrasjen policia ka dhënë gjakmarrjen, pasi rreth tre vjet më parë dy vëllezërit e Sadri Metalisë, plagosën me pasojë vdekjen në grindje e sipër 40-vjeçarin Tahir Breçani nga fshati Markaj i Tropojës, ish-polic i komisariatit të Bajram Currit.
Zanafilla
Një sherr banal në një bilardo të qytetit të Bajram Currit shkaktoi vrasjet zinxhir, ku deri tani numërohen dy viktima dhe një i plagosur. Daja i Sadri Metalisë grindet në një bilardo me vëllezërit e Tahir Breçanit nga fshati Markaj i rrethit të Tropojës. Por grindja arriti deri në në rrahje, e cila u pasua edhe me dy rrahje të tjera mes familjes Metalia dhe familjes Breçani. Ndërkohë që të dy familjet vazhdonin të mbanim mëri me njëri-tjetrin. Para tre vjetësh, në afërsi të lokalit“Enigma”, pronë e Jaho Mulosmanit në qytetin e Bajram Currit ndodhi një tjetër grindje mes Metaliajve dhe Breçanëve, por kësaj radhe në përdorim u vunë armët, ku mbeti i plagosur Tahir Breçani. Dëmtimi i rëndë i arteries në këmbë bëri që Breçani të jepte shpirt në spitalin e Bajram Currit. Vëllai i viktimës, Sali Breçani, deklaroi se vrasësit kishin mbiemrin Metaliaj dhe ishin të implikuar në vrasjen e Azem Hajdarit. Pas kësaj vrasjeje njëri prej vëllezërve të Sadri Metalisë u arrestua dhe u dënua me 7 vjet burg. Pas vrasjes së Tahir Breçanit, Sadri Metalia qëndroi për rreth tre vjet i ngujuar në shtëpinë e tij. Por pas tre vjetësh ai pranoi më mirë vrasjen se sa ngujimin. Në verën e vitit të kaluar, policia arrestoi në qytetin e Bajram Currit Astrit Breçanin, i cili u akuzua se kishte zënë pritë përtë vrarë shtetasin Sadri Metalia. Por gjykata e Bajram Currit e liroi, me gjithë ankesat e policisë dhe prokurorisë.